Brighton është i gatshëm të dëgjojë ofertat për mesfushorin e talentuar Carlos Baleba verën e ardhshme, por klubi anglez kërkon rreth 85 milionë euro për 21-vjeçarin kamerunas, një shifër që deri tani ka zbehur interesimin e Bayern Munich.
Burime pranë situatës kanë konfirmuar për disa media evropiane se “Pulëbardhat” janë të hapura për ta lejuar largimin e lojtarit në vitin 2026, nëse merret një ofertë pranë kësaj vlere, pavarësisht se Baleba ka edhe tre vite kontratë.
Bayern, ku e ardhmja e Leon Goretzkës mbetet e paqartë, e ka Baleban në listën e objektivave.
Megjithatë, brenda klubit gjerman ka hezitim për të përmbushur kërkesën e lartë të Brighton për një futbollist që iu bashkua ekipit vetëm 18 muaj më parë nga Lille.
Pavarësisht interesimit të rritur nga gjigantët e Bundesligës, preferenca personale e Balebas mbetet Manchester United.
“Djajtë e Kuq” e shqyrtuan një transferim më herët gjatë afatit, por u tërhoqën për shkak të çmimit të kërkuar nga Brighton dhe prej atëherë kanë nisur të vëzhgojnë alternativa të tjera. /Telegrafi/