Bota në vitin 2025 u shënua nga ngjarje të shumta të rëndësishme, dhe fotografët e disa agjencive botërore të lajmeve kapën momentet më mbresëlënëse që do të mbahen mend shumë më gjatë se vetë viti.
Në galerinë e përgatitur mund të shikoni disa nga fotografitë më të mira që kanë kapur fotografët e agjencive të njohura si Reuters, Associated Press dhe European Pressphoto Agency (EPA).
Associated Press thotë se vitet vijnë dhe shkojnë, ndonjëherë edhe para se ta kuptojmë që koha ka kaluar. Ngjarjet shpërndahen dhe bashkohen. Lajmet janë dërrmuese dhe edhe ata që i ndjekin me kujdes mund të ndjejnë marramendje të pandalshme. Kjo është jeta e shekullit të XXI-të në një planet të lidhur dhe kaotik.
Agjencia Reuters tha se gjatë vitit 2025 ka publikuar rreth 1.6 milion fotografi, që kanë kapur ngjarje personale dhe politike, triumfe dhe tragjedi, si dhe jetën e përditshme nga 150 vende të botës.
Në mesin e imazheve të vitit ishte edhe Donald Trump, i cili u rikthye si president i SHBA-së, duke sjellë ndryshime të menjëhershme dhe të gjera në politikë. Gjithashtu u vazhduan luftërat në Gaza dhe Ukrainë, dhe katastrofat natyrore goditën zona si ato që ishin mësuar me fatkeqësi ashtu edhe vende që nuk i kishin përjetuar më parë këto tragjedi.
Megjithatë, larg trazirave, njerëzit gjetën momente bashkimi në sport, fe dhe festë — duke kapur gëzim spontan siç ishte lëshimi i një zogu apo shijimi i diellit dimëror. Në pistat e modës duket se mbizotëroi kreativiteti, ndërsa në rrugë kishte kaos, me protesta kundër udhëheqësve politikë, korrupsionit dhe varfërisë.
EPA gjithashtu raportoi se fotografët e saj prodhuan mbi 850 mijë fotografi gjatë vitit, duke dokumentuar luftëra, protesta, katastrofa klimatike, momente rezistence, si dhe ngjarje të paharrueshme sportive dhe argëtuese. /Telegrafi/


























