Borussia Dortmund po përgatitet për një verë shumë të nxehtë në afatin kalimtar, teksa drejtuesit e klubit synojnë të sigurojnë rreth 110 milionë euro nga shitja e dy prej lojtarëve kryesorë për të rindërtuar skuadrën.
Pas rinovimeve të kontratave me Felix Nmecha dhe lëvizjeve të fundit rreth mbrojtësit Nico Schlotterbeck, drejtuesit e klubit gjerman kanë pranuar se për të realizuar afrime të reja, fillimisht duhet të krijojnë hapësirë financiare.
Sipas raportimit të gazetës gjermane Bild, Borussia Dortmund ka vendosur në shitje dy emra të rëndësishëm të skuadrës për të mbushur arkën e klubit, pas rezultateve zhgënjyese në Ligën e Kampionëve dhe Kupën e Gjermanisë.
Lojtari i parë që mund të largohet është sulmuesi Karim Adeyemi.
Edhe pse klubi i ka ofruar rinovim kontrate, 24-vjeçari duket i prirur të provojë një aventurë të re në Ligën Premier.
Dortmund nuk pritet ta lejojë largimin e tij për më pak se 60 milionë euro.
Emri i dytë në planin e largimeve është sulmuesi Serhou Guirassy.
30-vjeçari ka tërhequr interes të madh nga klubet e Serie A, veçanërisht nga Milani, ndërsa ofertat nuk mungojnë edhe nga Arabia Saudite. Dortmund shpreson të arkëtojë rreth 50 milionë euro nga shitja e tij.
Me fondet e siguruara nga këto transferime, drejtuesit e klubit synojnë të afrojnë një mesfushor defensiv që do të mbështesë Felix Nmecha, si dhe mbrojtës qendrorë dhe anësorë ofensivë që mund të rrisin cilësinë e skuadrës.
Gjithçka tregon se Borussia Dortmund do të përjetojë një verë të mbushur me ndryshime të mëdha.
Largimet e mundshme të disa prej yjeve të ekipit mund të jenë të dhimbshme për tifozët, por klubi është i vendosur të ndërtojë një projekt të ri për t’u rikthyer në garën për trofe sezonin e ardhshëm. /Telegrafi/