Reshjet e dendura të borës që kanë përfshirë Bosnjë e Hercegovinën gjatë 24 orëve të fundit kanë shkaktuar probleme të mëdha në mbarë vendin ndërsa është shënuar edhe një aksident me pasojë vdekjeprurëse në Sarajevë.
Në lagjen Gërbavica të Sarajevës, një pishë më e lartë se dhjetë metra ka rënë mbi një grua, e cila për shkak të plagëve të rënda ka ndërruar jetë në Klinikën e Mjekësisë Urgjente (KUM).
Bora ka shkaktuar probleme serioze në qarkullim, ku është regjistruar një numër i madh aksidentesh rrugore, si dhe ndërprerje dhe reduktime të transportit publik.
Qytetarët janë ankuar për rrugë dhe trotuare të papastruara dhe të pakalueshme, për shkak të të cilave shumë prej tyre janë detyruar të lëvizin në rrugë, duke rrezikuar edhe më tej sigurinë e këmbësorëve.
Nga ndërmarrja komunale “Rad”, e cila vepron në territorin e katër komunave urbane të Sarajevës, u bë e ditur se në terren janë angazhuar 33 automjete të shërbimit dimëror dhe rreth 80 punëtorë për pastrimin manual të rrugëve dhe sipërfaqeve për këmbësorë.
Megjithatë, një numër i madh rrugësh dytësore dhe hyrjesh vazhdojnë të mbeten nën borë.
Edhe pse bora gjatë natës ka pushuar së rëni në Sarajevë, orët e mëngjesit kanë sjellë vështirësi shtesë për shkak të akullit.
Arteria kryesore e qytetit është pastruar, por rrugët përreth dhe kalimet kanë mbetur të mbuluara me borë. Drejtuesve të mjeteve u bëhet thirrje për kujdes maksimal.
Instituti Federal Hidrometeorologjik ka paralajmëruar për sot mot me vranësira dhe shi në Hercegovinë, ndërsa në Bosnjë pritet shi dhe borë.
Në ditët në vijim parashikohen reshje të dendura, veçanërisht në Hercegovinë dhe Bosnjën jugperëndimore, me mundësi rritjeje të nivelit të lumenjve dhe rrezik për përmbytje lokale.
Nga BIHAMK-u kujtohet se pajisjet dimërore janë të detyrueshme për të gjitha automjetet në Bosnjë e Hercegovinë.
Probleme janë shënuar edhe në disa akse rrugore, përfshirë Bradinën dhe rrugën Jabllanicë-Blidinjë ndërsa kolona dhe pritje të gjata janë evidentuar edhe në shumë pika kufitare.
Shërbimet dhe institucionet kompetente u bëjnë thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar, ndjekje të parashikimeve të motit dhe respektim të rekomandimeve, duke pasur parasysh reshjet e reja të paralajmëruara dhe mundësinë e komplikimeve të mëtejshme. /AA/