Njohësi i çështjeve politike, Korab Blakaj, vlerëson se e ashtuquajtura luftë hibride e Rusisë përbën një nga kërcënimet më serioze të sigurisë për Evropën, duke u intensifikuar ndjeshëm pas pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022.
Sipas tij, që nga fillimi i luftës në Ukrainë, shërbimet sekrete perëndimore kanë akuzuar gjithnjë e më shpesh Moskën për përdorimin e metodave hibride, të cilat nuk janë të reja, por po bëhen gjithnjë e më të sofistikuara.
Ai përmend një sërë incidentesh të fundit në Evropë – nga rrëzimi i një avioni mallrash të DHL-së në Lituani, dëmtimi i kabllove nëndetare në Detin Baltik, deri te rritja e ndikimit të aktorëve ekstremistë pro-rusë në disa shtete – si raste që kanë ngritur dyshime serioze për përfshirjen e Rusisë.
Blakaj shpjegon se lufta hibride nënkupton zgjerimin e veprimeve ushtarake përmes spiunazhit, sabotazhit, sulmeve kibernetike, ndërhyrjes në zgjedhje, propagandës dhe fushatave të dezinformimit, me synim dobësimin e shteteve kundërshtare nga brenda. Sipas tij, Rusia ka zgjeruar vazhdimisht arsenalin e këtyre mjeteve gjatë viteve të fundit.
Ai thekson se spiunazhi nën mbulesën diplomatike mbetet një nga format kryesore të veprimit rus.
“Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, shtetet evropiane kanë dëbuar qindra diplomatë rusë, të cilët shërbimet perëndimore i kanë identifikuar si agjentë të inteligjencës. Paralelisht, janë shtuar raportet për dronë të dyshimtë mbi baza ushtarake, përgjime komunikimesh dhe aktivitet të anijeve ruse pranë infrastrukturës kritike nënujore”.
Në këtë kontekst, Blakaj përmend edhe rritjen e akteve të sabotazhit dhe zjarrvënieve në Bashkimin Evropian dhe Britaninë e Madhe, si dhe përkeqësimin e situatës së sigurisë kibernetike.
“Sulmet DDoS dhe përpjekjet për depërtim në rrjetet e institucioneve dhe kompanive janë bërë më të shpeshta, ndërsa spiunazhi dhe sabotazhi po zhvendosen gjithnjë e më shumë në hapësirën online. Një tjetër shtyllë e luftës hibride, sipas Blakajt, është lufta për “zemrat dhe mendjet”, përmes dezinformimit dhe propagandës”, shton tutje.
Tutje rikujton se në fillim të vitit 2024 autoritetet gjermane zbuluan një fushatë masive me dhjetëra mijëra llogari të rreme, të cilat shpërndanin narrativa pro-ruse dhe synonin të minonin mbështetjen për Ukrainën dhe të forconin partitë ekstreme në Evropë.
Blakaj thekson se ndërhyrja në zgjedhje dhe publikimi i dokumenteve të vjedhura pak para proceseve elektorale, si dhe atentatet ndaj kundërshtarëve politikë jashtë Rusisë, janë gjithashtu pjesë e këtij spektri të gjerë veprimesh hibride, akuza që Kremlini i mohon.
Duke iu referuar edhe vlerësimeve të ekspertëve ushtarakë perëndimorë, ai nënvizon se Rusia i përshtat taktikat e saj sipas secilit shtet, çka e bën të domosdoshëm një reagim fleksibël, të koordinuar dhe gjithëpërfshirës nga vendet evropiane për t’u përballur me këtë kërcënim kompleks dhe afatgjatë./Telegrafi.