Barcelona fitoi 3-0 ndaj Mallorcas të shtunën, në një ndeshje ku një nga momentet më të veçanta ishte goli i parë i Marc Bernal me fanellën e ekipit të parë.
Mesfushori 18-vjeçar, i cili u aktivizua nga banka rezervë në pjesën e dytë, realizoi golin e tretë për katalanasit në minutat e fundit, duke shkaktuar entuziazëm të madh në tribuna dhe mes bashkëlojtarëve.
Sipas Mundo Deportivo, talenti i ri foli pas ndeshjes për momentin e veçantë dhe emocionet që e shoqëruan realizimin e tij.
“Kur pashë që Fermin po më shikonte, dallova hapësirën. Nuk hezitova dhe shtyva përpara. Doja të gjuaja me këmbën e djathtë, por pashë Maffeon dhe, meqenëse i besoj më shumë këmbës së majtë, u tërhoqa. E vërteta është se Mascarell e prek topin. Isha jashtëzakonisht i emocionuar. Këto janë momente që as nuk i ëndërron si fëmijë”, deklaroi Bernal.
Goli kishte një domethënie të veçantë për të, pasi vjen pas një periudhe të vështirë rikuperimi prej rreth 12 muajsh, pas këputjes së ligamentit të kryqëzuar anterior në shtator 2024.
“Kur shënova golin, mendova shumë për vitin e kaluar, për sa keq e kalova. Është një kënaqësi shumë e madhe, edhe për familjen time. I kam kujtuar ata. Që në fillim e dija se do të kaloja nga më pak në më shumë. Tani jam shumë më mirë, në formë më të mirë. Dua të shfrytëzoj minutat”, shtoi ai.
Bernal theksoi gjithashtu klimën pozitive brenda skuadrës së parë të Barcelonës, duke nënvizuar unitetin mes lojtarëve pavarësisht konkurrencës së brendshme.
“Jemi në një dinamikë shumë të mirë. Gjëja më e rëndësishme është marrëdhënia që kemi me njëri-tjetrin, edhe nëse ka konkurrencë. Marrëdhënia është shumë e shëndetshme, të gjithë shkojmë shumë mirë me njëri-tjetrin”, përfundoi 18-vjeçari. /Telegrafi/