Pas rritjes së çmimit të derivateve të naftës në vend disa kompani private të autobusëve nëpër komunat e Kosovës kanë rritur çmimin e biletave për udhëtarët.
Kryetari i Unionit të Shoqatave të Transportit të Udhëtarëve, Jakup Berisha ka folur për arsyet e rritjes së çmimeve të biletave në transportin rrugor në Kosovë, duke theksuar se ky sektor funksionon në një treg plotësisht të lirë.
Sipas tij, të gjitha kompanitë e transportit të udhëtarëve në vend janë private dhe vendimet për çmimet merren nga vetë pronarët apo drejtuesit e tyre, pa koordinim me institucione apo organizime të tjera.
“Së pari tregu është i lirë, kompanitë e transportit rrugor të udhëtarëve në Kosovë janë 100 për qind private, dhe vendosin vetë pronarët apo drejtorët e jo në koordinim me asnjë institucion apo organizim tjetër. Arsyeja kryesore e shtrenjtimit të biletave është gjendja e krijuar pas shtrenjtimit të karburanteve pas fillimit të luftës dhe mbylljes të Gjirit të Hormuzit nga ana e Iranit, ku kalojnë mbi 20% të tregtisë botërore me Naftë dhe karburantet tjera”, ka thënë Berisha.
Se a do të zbresin biletat nëse ulet çmimi i karburanteve, Berisha tha “personalisht mendoj se po”.
Ndërkohë, Berisha ka kritikuar mungesën e reagimit institucional, duke thënë se Qeveria e Kosovës ka pasur mundësi të ndërhyjë për të parandaluar rritjen e çmimeve.
Sipas tij, kjo mund të ishte bërë përmes dy masave konkrete: hedhjes në treg të rezervave shtetërore të dizelit, të destinuara për transportin e udhëtarëve, ose përmes heqjes së akcizës për këtë lloj karburanti.
Ai ka theksuar se aktualisht një pjesë e madhe e çmimit të naftës përbëhet nga taksat, duke rënduar jo vetëm sektorin e transportit, por edhe qytetarët në përgjithësi.
Berisha potencoi se për të ndaluar ngritjen e çmimit të biletave duhet që: “Qeveria e Kosovës të gjej mënyrën se si do e parandalonte këtë ngritje të çmimit të naftës në dy mënyra: Përmes lëshuarjes në treg rezervat shtetërore të Dizellit, përcaktuar vetëm për transport të udhëtarëve, ose heqjen e Akcizës në dizell që sot deri sa flasim shteti apo qeveria inkason nga çmimi prej 1.70 sa është sot 1.02 euro/1 litër dizell, po mendoj kjo qeveri për qytetarët e këtij vendi e të cilët e votuan me 51.11% do vepronte si të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimorë për heqjen e akcizës dhe t’i parandalojë ngritjen e çmimeve të biletave dhe jo vetëm, sepse kjo ndikon edhe në shportën qytetare sepse të gjitha mallrat e konsumit të përgjithshëm do pësojnë ngritje çmimi sepse edhe ato transportohen me mauna të cilët shpenzojnë karburante”. /Telegrafi/