Kreu i PD Sali Berisha po prin protestuesit në një marshim nga Kryeministria në drejtim të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë. Gjatë marshimit protestuesit kanë hedhur bomba molotov në kazanët e mbeturinave.
A2CNN raporton se është bllokuar lëvizja e mjeteve në Rrugën e Elbasanit.
Po ashtu mësohet se efektivët u kanë bërë pritë protestuesve në unazë dhe pranë godinës së Drejtorisë së Policisë është vendosur një kordon policor.
Kujtojmë që drejtuesi i Policisë së Shtetit Ilir Proda ka qenë shpesh herë në qendër të akuzave të PD-së, gjatë protestave të fundit para Kryeministerisë.
Sikurse në protestën e së premtes së kaluar, Policia e kryeqytetit ka bërë të ditur se nuk merr përsipër garantimin e zhvillimit të tubimit. Pavarësisht përgjigjes së kthyer, Policia e Tiranës, ka marrë të gjitha masat për garantimin e rendit dhe sigurisë publike në qytetin e Tiranës, mbrojtjen e institucioneve shtetërore, si dhe për lëvizjen e lirë të automjeteve dhe qytetarëve.