Kompania britanike, Bentley, marka e njohur e automjeteve luksoze, po hyn në botën e makinave plotësisht elektrike me një model të ri SUV që do të jetë më i vogël se Bentayga aktuale dhe që tashmë po tërheq vëmendjen e klientëve të saj më të pasur.
Mike Rocco, drejtues i Bentley për tregun e Amerikës së Veriut, tha se gjatë testeve të zhvilluara në qytete si Miami dhe Los Angeles, 8 nga 10 klientë të intervistuar deklaruan se do të blinin këtë veturë, gjë që u vlerësua shumë pozitivisht nga prodhuesit.
Edhe pse Bentley tashmë ofron modele hibride, kjo do të jetë hera e parë që kompania futet në segmentin e automobilave elektrikë.
Rocco tha se kur ky SUV të dalë në treg, ai nuk do të promovohet kryesisht si elektrik, por si “një Bentley i ri” – pra fokusin do ta vendosin tek karakteristikat e përgjithshme të makinës dhe jo vetëm llojin e motorit.
Disa detaje edhe për dizajnin janë bërë të ditura: automjeti do të ketë një pamje më “katrore” dhe dizajn urban, si dhe ofron hapësirë të mirë brenda, edhe pse është më kompakt se SUV‑i aktual. Data e publikimit dhe çmimi zyrtar ende nuk janë njoftuar. /Telegrafi/