Benfica ka pezulluar pesë anëtarë të klubit pas incidenteve raciste të ndodhura gjatë ndeshjes së 17 shkurtit kundër Real Madrid në stadiumin ‘Estadio da Luz’.
Gjatë takimit, sulmuesi i Real Madridit, Vinicius Junior, dyshohet se ka qenë objekt i abuzimeve raciste nga lojtari i Benficas, Gianluca Prestianni.
Po ashtu, disa tifozë në tribuna janë parë duke bërë thirrje dhe gjeste raciste, përfshirë imitime me zëra majmunësh, të drejtuara ndaj brazilianit.
“Benfica informon se ka pezulluar pesë anëtarë, pas nisjes së procedurave disiplinore që mund të çojnë në aplikimin e sanksionit maksimal të parashikuar në Statut: përjashtimin”.
“Hapja e këtyre procedurave disiplinore vjen si rezultat i hetimit të brendshëm të nisur pas ndeshjes mes Benficas dhe Real Madridit, të zhvilluar më 17 shkurt, si dhe për sjellje të papërshtatshme në tribuna, me natyrë raciste, të papajtueshme me vlerat dhe parimet që udhëheqin klubin”.
“Benfica rikonfirmon se nuk toleron asnjë formë diskriminimi apo racizmi dhe do të vazhdojë të veprojë me vendosmëri sa herë që paraqiten sjellje që cenojnë vlerat e klubit, sportit dhe shoqërisë”, thuhej në deklaratën zyrtare të Benficës.
Ndërkohë, UEFA ka pezulluar përkohësisht Prestianin për një ndeshje, duke e lënë jashtë sfidës së kthimit në ‘Santiago Bernabeu’.
Hetimet vazhdojnë dhe, nëse shpallet fajtor, lojtari mund të përballet me një dënim deri në 10 ndeshje pezullim./Telegrafi/