Republika e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm dhe një shtet sovran, tha presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj.
Ai, në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës për nder të 18-vjetorit të Pavarësisë, tha se Kosova ishte vendi ku liria vritej, por sot liria funksionon dhe frymëzon.
“Ky përvjetor është dëshmia se Republika e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm dhe një shtet sovran. Kosova ishte vendi ku liria vritej, sot është vendi ku liria funksionon dhe liria frymëzon. Kosova e sotshme është një shtet i ri në vite, por me rrënjë të thella sakrificash, kontributesh dhe meritash. Ajo ecën në hapa të sigurt drejt së ardhmes pa harruar kurrë themelet mbi të cilat u ndërtua”, tha ai.
Ai përmendi ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë, raporton kp. Begaj tha se ata po përballen padrejtësisht me akuza të montuara nga Gjykata Speciale.
“Sot mendimi ynë është edhe me ata që po përballen me një betejë të vështirë, të padrejtë dhe vendimtare në Hagë. Historia e Kosovës nuk mund të kuptohet dhe as të shkruhet pa emrat e Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi dhe bashkëluftëtarëve të tyre. Ata që dje e udhëhoqën popullin drejt lirisë, sot po përballen padrejtësisht me akuza të montuara nga Gjykata Speciale, duke na bërë të gjithëve të ndihemi të fyer, të paragjykuar dhe të akuzuar. UÇK-ja dhe të gjithë të tjerët që morën armët për të kërkuar lirinë për atdheun e tyre janë, siç kanë qenë dhe do të jenë gjithmonë, kudo, kurdo dhe në çdo kohë, simbole të lirisë. Ata janë memorie shtetërore dhe kombëtare. E vërteta nuk mund të tjetërsohet dhe historia nuk mund të rishkruhet dhe ndryshohet. Liria ka emër. Liria meriton respekt dhe drejtësi. Shqipëria është me UÇK-në, komandantët e UÇK-së dhe qytetarët e Kosovës. Shqipëria ka qëndruar pranë Kosovës dhe Shqipëria qëndron krah Kosovës”, ka thënë ai.