Është koha për një epokë të re për Bebe Rexhën.
Artistja e nominuar për çmimin Grammy, 36 vjeçe, njoftoi të enjten, më 12 shkurt, projektin e saj të ri muzikor vizual me titull “Dirty Blonde”, duke publikuar një super-video të miksuar nga Diplo që paralajmëron 13 këngët dhe klipet që do ta shoqërojnë albumin, shkruan revista People.
Ashtu si publikimet e saj të mëparshme, edhe “Dirty Blonde” do të përfshijë një përzierje zhanresh — pop, EDM, country, hip-hop dhe të tjera — sipas materialit promovues. Çdo këngë do të publikohet një nga një nga vetë Rexha, në bashkëpunim me labelin e pavarur EMPIRE.
Foto: Bebe Rexha/YouTube
“Në këtë kapitull të ri bëhet fjalë për lirinë krijuese — për t’u besuar instinkteve të mia, zërit tim dhe më në fund për t’i bërë gjërat ashtu siç kam dashur gjithmonë,” tha ajo në një deklaratë. “Kam mësuar shumë, kam jetuar shumë dhe tani jam plotësisht e lidhur me veten. Ndjekja e intuitës ka qenë një nga vendimet më të mira të karrierës sime. Kjo periudhë është e guximshme, e zhurmshme dhe pa kërkuar falje — pa filtra, pa kufij. ‘Dirty Blonde’ jam unë, duke përqafuar plotësisht atë që jam”.
Videoja promovuese hapet me këngëtaren me origjinë nga Nju Jorku që i referohet rrënjëve të saj, duke kënduar këngën “Chica Chica” me vargje në shqip, e rrethuar nga burra muskulozë me tatuazhe “Bebe” në një festë rruge në ambient të hapur. Pamje të tjera e tregojnë pranë valltareve pole dance, duke u puthur me një kamarier në një lokal, duke kërcyer në një festë të nxehtë dhe duke bërë DJ në një klub nate, ndërsa tekstet e këngëve alternojnë mes vetëbesimit dhe ndjeshmërisë për jetën e saj.
Foto: Bebe Rexha/YouTube
Në skena të tjera ajo shihet duke qarë teksa po përgatitet me grim e flokë për një fotosesion, duke vëzhguar tiparet e saj në pasqyrë, duke kërcyer në një dyqan të vogël, ulur mbi një bar, duke pozuar në rrugë, duke u stërvitur me një mashkull të fuqishëm në palestër dhe duke zhvilluar një seancë intensive me terapistin.
Në një intervistë për Billboard, Rexha tregoi se dëshiron ta shfaqë identitetin e saj të vërtetë përmes “Dirty Blonde”, i cili shënon albumin e saj të parë të plotë të publikuar në mënyrë të pavarur.
“A shumë njerëz më kanë parë përmes lentes së kohës kur përpiqesha të isha një yll perfekt popi, një vajzë e pastër imazhi,” tha ajo. “Kur je nën kontratë me një label të madh, është pak stresuese, sepse gjithmonë përpiqesh t’i kënaqësh të tjerët. Shumë nga hitet e mia më të mëdha kanë qenë në kompjuterin tim — i kisha shkruar vetë — por shpesh merrnin ‘Jo’ nga labeli ku ndodhesha”.
Foto: Bebe Rexha/YouTube
Artistja, e cila ka arritur sukses global me hitet “Meant to Be” dhe “I’m Good (Blue)”, tha se dikur ishte dekurajuar të publikonte disa prej këngëve që më pas u bënë ndër më të suksesshmet e saj. Tani, sipas saj, kontrolli është plotësisht në duart e saj.
“Sinqerisht, këtë anë timen nuk kam mundur ta tregoj deri tani,” u shpreh ajo. “Tani kam një label, EMPIRE, që më lejon të jem vetvetja pa asnjë kompromis dhe e feston këtë — dhe kjo është vërtet e mrekullueshme”. /Telegrafi/