Bayern Munich ka vënë në shënjestër dy mbrojtës të rinj, Yann Aurel Bisseck nga Interi dhe Luka Vuskovic nga Tottenhami, si zëvendësues të mundshëm të ish-yllit të Napolit, Kim Min-jae.
Sipas raportimit të “Sport1”, gjiganti i Bundesligës po shikon nga Serie A dhe Liga Premier për përforcime në repartin defensiv për sezonin 2026/27. “Bavarezët” janë të gatshëm të dëgjojnë oferta për Kim Min-jae në sezonin e ardhshëm dhe tashmë kanë identifikuar dy kandidatë seriozë për ta zëvendësuar mbrojtësin nga Koreja e Jugut.
Një nga opsionet kryesore është qendërmbrojtësi i Interit, Yann Aurel Bisseck. Gjermani 25-vjeçar është shndërruar së fundmi në titullar të rregullt në “Stadio Meazza” dhe këtë edicion ka regjistruar 21 paraqitje në të gjitha garat. Interesimi për të nuk është i ri, pasi verën e kaluar Crystal Palace kishte bërë një ofertë prej 32 milionë eurosh, por Interi e refuzoi atë.
Raportimet e mëparshme bënin të ditur se Interi e kishte vendosur çmimin e Bisseck rreth 40 milionë euro verën e kaluar. Megjithatë, paraqitjet gjithnjë e më bindëse të mbrojtësit me fanellën e zikaltërve sugjerojnë se shifra e kërkuar në afatin e ardhshëm kalimtar mund të jetë edhe më e lartë.
Alternativa tjetër për Bayern Munich është Luka Vuskovic, një talent 18-vjeçar që është nën kontratë me Tottenhamin. Kroati aktualisht është i huazuar te Hamburger SV për sezonin 2025/26, ku po fiton përvojë të rëndësishme në futbollin gjerman dhe po monitorohet nga afër nga drejtuesit bavarezë.
Bayern Munich duket i vendosur të rinovojë mbrojtjen e tij në vitet e ardhshme dhe emra si Bisseck e Vuskovic tregojnë qartë fokusin te lojtarët e rinj me potencial të madh zhvillimi./Telegrafi