Bashkimi ka regjistruar fitore të rëndësishme ndaj GO+ Pejës në ndeshjen e parë çerekfinale të Kupës së Kosovës në basketboll, në një përballje të zhvilluar në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren, e cila u shoqërua edhe me incidente serioze.
Takimi u ndërpre rreth shtatë minuta para përfundimit të pjesës së parë, pasi nga tribunat u hodhën gjësende në parket, duke shkaktuar lëndim te kapiteni i Pejës, Dardan Berisha, i cili pësoi një të çarë në ballë.
Pas incidentit, skuadra mysafire u tërhoq nga parketi, ndërsa loja rifilloi pas afro 40 minutash, pasi një pjesë e tribunës qendrore u zbraz me vendim të organeve përkatëse.
Pavarësisht ndërprerjes së gjatë, loja vazhdoi dhe Bashkimi arriti ta ruajë epërsinë, duke triumfuar me rezultat 96:90. Prizrenasit e mbyllën pjesën e parë me avantazh prej tetë pikësh, 48:40.
Çereku i tretë ishte i barabartë, 24:24, ndërsa në dhjetëminutëshin e fundit, GO+ Peja u tregua më efikase duke e fituar atë 26:24, por pa arritur ta përmbysë rezultatin final.
Shannon Shorter ishte lojtari më i dalluar te Bashkimi, duke realizuar 27 pikë, katër kërcime dhe katër asistime.
Kontribut të rëndësishëm dha edhe Isiah Cousins, i cili regjistroi një “double-double” me 17 pikë dhe 10 asistime, të shoqëruara edhe me pesë kërcime.
TJ Bickerstaff shtoi 16 pikë, ndërsa Ike Nëamu dhe Dequon Lake kontribuuan me nga 11, përkatësisht 10 pikë.
Te GO+ Peja, kapiteni Dardan Berisha, pavarësisht lëndimit, e mbylli ndeshjen me 20 pikë, katër kërcime dhe dy asistime.
Performancën më të plotë statistikisht e pati Tajh Green, i cili regjistroi “double-double” me 10 pikë dhe 12 kërcime, duke shtuar edhe një asistim.
Ndeshja e kthimit do të zhvillohet pas dy javësh në palestrën “Karagaçi” në Pejë, ku do të përcaktohet ekipi që do të sigurojë dy fitore dhe do të avancojë në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës./Telegrafi/