Barcelona po vazhdon të monitorojë nga afër talentet e reja në futbollin evropian dhe një nga emrat që ka hyrë fuqishëm në radarët e klubit është i riu suedez Rayan Bardghji.
Futbollisti vetëm 16-vjeçar po spikat në ekipet e moshave të klubit danez Nordsaelland, ku paraqitjet e tij në nivelin U-19 kanë tërhequr vëmendjen e skautëve të klubit katalanas.
Drejtuesit sportivë të Barcelonës e shohin atë si një investim strategjik për të ardhmen e akademisë së klubit.
I riu suedez po dallohet për talentin ofensiv, vizionin në lojë dhe aftësitë teknike, cilësi që konsiderohen shumë të përshtatshme për filozofinë e zhvillimit të lojtarëve në akademinë e Barcelonës.
Brenda klubit ekziston bindja se ai mund të përshtatet mirë me modelin e formimit që aplikohet në “La Masia”, ndaj ideja fillestare është që ai të integrohet në strukturat e të rinjve dhe të vazhdojë aty zhvillimin e tij sportiv.
Plani i Barcelonës për Bardghjin shihet si një projekt afatgjatë. Fillimisht ai mund të kalojë disa vite në akademinë e klubit për të përmirësuar aspektet taktike dhe fizike të lojës.
Nëse progresi i tij konfirmohet, drejtuesit sportivë mund të vendosin edhe një huazim në një klub profesionist, në mënyrë që ai të fitojë përvojë dhe minuta në futbollin e të rriturve.
Një element interesant në këtë histori është lidhja familjare me vëllain e tij, Roony Bardghji, i cili tashmë është një emër i njohur për ambientin e klubit katalanas.
Kjo lidhje mund ta bëjë më të lehtë përshtatjen e Rayan Bardghjit me kulturën dhe mënyrën e punës në Barcelonë, ndërsa drejtuesit e klubit besojnë se kjo mund të ndihmojë në integrimin e tij më të shpejtë në projektin sportiv të ekipit. /Telegrafi/