Gazetari italian Matteo Moretto raporton se Barcelona ka hyrë në negociata të avancuara me Manchester United për transferimin e përhershëm të Marcus Rashford, i cili aktualisht është i huazuar në “Camp Nou”.
Sulmuesi anglez ka lënë përshtypje shumë pozitive te drejtuesit dhe stafi teknik i Barcelonës falë paraqitjeve të tij vendimtare në ndeshjet kyçe, duke shtuar cilësi, eksperiencë dhe fleksibilitet në repartin ofensiv.
Ai ka treguar se mund të luajë si në krah, ashtu edhe në qendër të sulmit, duke u përshtatur me kërkesat taktike të trajnerit.
Barcelona është e gatshme të aktivizojë klauzolën e blerjes prej 30 milionë eurosh, por burimet bëjnë të ditur se katalanasit po përpiqen të negociojnë një ulje të çmimit ose një formulë pagese më të favorshme, për shkak të situatës financiare dhe kufizimeve të ‘Fair-play financiar’ në La Liga.
Një marrëveshje me këste ose me bonuse të lidhura me performancën mbetet një opsion i mundshëm.
Nga ana tjetër, trajneri i Manchester United, Michael Carrick, thuhet se i ka komunikuar drejtuesve të klubit dëshirën për ta rikthyer 28-vjeçarin në “Old Trafford”, duke e konsideruar atë ende pjesë të planeve të tij për sezonin e ardhshëm.
Megjithatë, vetë lojtari duket i vendosur për të vazhduar aventurën në Spanjë, ku ka gjetur stabilitet dhe një rol të rëndësishëm në skuadër.
Statistikat e këtij sezoni e mbështesin këtë qëndrim. Rashford ka regjistruar 10 gola dhe 13 asistime në të gjitha kompeticionet, pavarësisht se nuk ka qenë gjithmonë titullar i padiskutueshëm./Telegrafi/