Barcelona po shqyrton mundësinë e përforcimit të mbrojtjes dhe një nga emrat që ka tërhequr vëmendjen e klubit katalanas është talenti kroat Luka Vuskovic.
E ardhmja e mbrojtësit danez Andreas Christensen mbetet e paqartë. Futbollisti 29-vjeçar ka në tavolinë një ofertë për zgjatjen e kontratës edhe për dy vite me Barcelonen, por ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar nëse do të qëndrojë në Camp Nou apo do të kërkojë një aventurë të re.
Në rast se danezi largohet, drejtuesit e klubit do të hyjnë në tregun e transferimeve për të gjetur një qendërmbrojtës të ri me potencial të madh. Sipas raportimeve të Mundo Deportivo, një nga opsionet më të preferuara nga drejtori sportiv është pikërisht kroati i ri Luka Vuskovic.
Aktualisht, mbrojtësi ballkanas është i huazuar te Hamburger nga Tottenham Hotspur, klub me të cilin ka kontratë deri në vitin 2030. Sipas raportimeve, klubi londinez mund të kërkojë deri në 60 milionë euro për kartonin e tij.
Megjithatë, gara për shërbimet e tij pritet të jetë e fortë. Gjigantë të tjerë evropianë si Real Madrid, Liverpool, Manchester City dhe Bayern Munich po monitorojnë gjithashtu zhvillimin e talentit kroat.
Ndërkohë, agjenti i lojtarit, Pini Zahavi, ka zgjedhur të mos japë shumë detaje për të ardhmen e klientit të tij.
“Nuk mund të komentoj për asgjë në këtë moment. Lojtari ende i përket Hamburger SV dhe është plotësisht i përqendruar te ekipi. Do të mund të jap përditësime pas dy muajsh, pasi të përfundojë huazimi dhe ai të kthehet zyrtarisht te Tottenham Hotspur”, deklaroi Zahavi disa ditë më parë.
19-vjeçari ka shkëlqyer me fanellën e Hamburgut në 24 paraqitje mes kampionatit dhe Kupës së Gjermanisë, derisa ka shënuar pesë gola dhe ka dhuruar një asistim. Ai është mbrojtësi me më së shumti gola këtë edicion në top pesë ligat evropiane. /Telegrafi/