Barcelona i ka ofruar dy lojtarë Manchester United në përpjekje për të siguruar transferimin përfundimtar të Marcus Rashford.
Rashford iu bashkua klubit katalanas në formë huazimi për sezonin 2025/26 dhe ka qenë në formë të shkëlqyer, duke realizuar 10 gola dhe 13 asistime në të gjitha garat.
Barcelona ka opsionin për ta blerë përfundimisht sulmuesin për 26 milionë euro, dhe gjithçka ka treguar se klubi synon ta aktivizojë këtë klauzolë.
Një raport i fundit nga SPORT ka pretenduar se marrëveshja është vetëm “në pritje të konfirmimit zyrtar”, ndërsa Rashford pritet të nënshkruajë një kontratë trevjeçare.
Sipas mediumit, lojtari po shijon kohën e tij me gjigantët katalanas dhe dëshiron të zgjasë qëndrimin, ndërsa Barcelona është e kënaqur ta transferojë për një “çmim të arsyeshëm dhe të përballueshëm”.
Megjithatë, në një zhvillim të ri, ka dalë se Barcelona po shqyrton alternativa për të siguruar shërbimet e tij.
Sipas Football 365, duke cituar raportime nga Spanja, klubi katalanas i ka ofruar United dy lojtarë në përpjekje për të ulur tarifën e transferimit, madje duke synuar që të mos paguajë fare për 28-vjeçarin.
Ronald Araujo është një nga lojtarët e propozuar dhe klubi “do të ishte i kënaqur me një shkëmbim të thjeshtë lojtarësh”.
Gjithashtu, thuhet se Barcelona është e gatshme të heqë dorë edhe nga mesfushori Marc Casado, i cili ka zhvilluar 66 ndeshje me ekipin e parë.
Rashford e ka përshkruar përvojën e tij në La Liga si “të jashtëzakonshme”, por sipas The i Paper, zgjedhjet e ardhshme presidenciale te Barcelona mund të luajnë një rol të rëndësishëm në të ardhmen e reprezentuesit anglez./Telegrafi/