FC Barcelona ka konfirmuar se ka dërguar një ankesë zyrtare në drejtim të Royal Spanish Football Federation (RFEF), pas vendimeve të diskutueshme të gjyqtarëve në humbjen 4-0 ndaj Atletico Madrid në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Mbretit.
Klubi katalanas ka kërkuar sqarime për disa çështje që, sipas tyre, kanë ndikuar drejtpërdrejt në rrjedhën e takimit.
“FC Barcelona denoncon ekzistencën e vendimeve të ndryshme për aksione të natyrës së njëjtë, veçanërisht sa i përket sanksioneve disiplinore. Kjo mospërputhje krijon ndjesinë e standardeve të dyfishta, e cila është e papajtueshme me parimet e drejtësisë, barazisë dhe sigurisë juridike që duhet ta udhëheqin garën”.
“Klubi thekson mungesën e konsistencës në interpretimin e prekjeve me dorë brenda zonës, madje edhe në ndeshje të drejtuara nga të njëjtët gjyqtarë”.
“Përtej rasteve të izoluara, FC Barcelona vë në pah përsëritjen e gabimeve flagrante të arbitrimit gjatë gjithë sezonit, shumë prej tyre vendimtare dhe në dëm të klubit”.
“Klubi shpreh dyshime të arsyeshme për përdorimin dhe aplikimin e saktë të teknologjisë, veçanërisht në vendime të imta që nuk janë shoqëruar me shpjegime teknike përfundimtare. Po ashtu, denoncon mungesën e transparencës në menaxhimin dhe publikimin e audios së VAR-it”.
“FC Barcelona vë në pikëpyetje mungesën e kritereve të qarta dhe homogjene kur gjyqtarët dërgohen për të rishikuar aksionet në monitor, gjë që kontribuon në perceptimin e pasigurisë dhe pabarazisë në vendimmarrje”, thuhet në komunikatë.
Ankesa e Barcelonës vjen në një moment delikat të sezonit, me klubin që kërkon më shumë qartësi dhe standarde të njëjta në vendimmarrjet e arbitrimit në garat vendore./Telegrafi