Kompania shtetërore e energjisë e Bahreinit shpalli forcë madhore në dërgesat e saj të naftës të hënën, pasi një sulm iranian i vuri flakën rafinerisë së saj të vetme, duke u bërë shteti i fundit i Gjirit që e përdor klauzolën, ndërsa Irani zgjeron fushatën e tij kundër infrastrukturës rajonale të energjisë.
Një sulm që synonte objektin e gjerë të naftës Al-Ma’ameer të Bahreinit shkaktoi një zjarr në kompleks së bashku me dëme materiale, raportoi agjencia e lajmeve të Bahreinit, megjithëse nuk u regjistruan viktima dhe operacionet e zjarrfikësve ishin duke u zhvilluar.
Videot e shpërndara gjerësisht në mediat sociale treguan tym të dendur që dilte nga zona industriale ku ndodhej rafineria, transmeton Telegrafi.
Në njoftimin e saj për forcë madhore, Bapco Energies tha se “operacionet e saj në grup janë prekur nga konflikti i vazhdueshëm rajonal në Lindjen e Mesme dhe sulmi i fundit në kompleksin e saj të rafinerisë”.
Forca madhore është një dispozitë ligjore që i liron palët nga përgjegjësia kur mospërmbushja e detyrimeve kontraktuale rezulton nga ngjarje përtej kontrollit të tyre.
Kompania tha se ende mund të përmbushë kërkesën e brendshme. Rafineria 90-vjeçare u raportua për herë të parë e dëmtuar javën e kaluar.
Bapco kohët e fundit e kishte modernizuar uzinën dhe e kishte rritur kapacitetin e saj deri në 380,000 fuçi në ditë, duke përmirësuar njësitë e afta për të prodhuar më shumë karburant për avionë dhe naftë.
Bahreini nuk është shteti i parë i Gjirit që ndërmerr këtë hap. QatarEnergy bëri një deklaratë të ngjashme të mërkurën e kaluar pasi dy nga impiantet e saj të gazit natyror të lëngshëm u goditën, duke detyruar një pauzë prodhimi dhe duke sjellë paqëndrueshmëri të re në tregjet globale të energjisë.
Ministri i Energjisë i Katarit kishte paralajmëruar se të gjithë eksportuesit e Gjirit do të detyroheshin të ndiqnin shembullin brenda disa ditësh. Kuvajti gjithashtu ka deklaruar forcë madhore në shitjet e naftës pasi ka ulur prodhimin në fushat dhe rafineritë e tij.
Shoku energjetik vjen pasi Irani shënjestroi gjithashtu një zonë banimi në Bahrein, duke plagosur 32 persona, përfshirë fëmijë, dhe ndërsa një sulm i veçantë me dron iranian dëmtoi një nga impiantet e desalinizimit të mbretërisë – hera e parë që një vend arab kishte raportuar se Irani kishte shënjestruar një impiantin e desalinizimit gjatë konfliktit nëntë-ditor, duke ngritur shqetësim në një rajon që varet nga impiantet e tilla për furnizimin e tij me ujë.
Bahreini është një arkipelag me 33 ishuj natyrorë që shtrihen përafërsisht në 760 kilometra katrorë, afërsisht sa madhësia e Londrës së Madhe, me një popullsi prej rreth 1.6 milion banorësh, duke e bërë atë kombin e tretë më të vogël në Azi.
Është një nga vendet më të dendura të populluara në tokë dhe një nga prodhuesit më të vegjël, por strategjikisht më të rëndësishëm të naftës në Gjirin Persik.
Nafta bruto Brent u rrit mbi 114 dollarë për fuçi të hënën, afërsisht 60% më e lartë se kur SHBA-të dhe Izraeli goditën për herë të parë Iranin më 28 shkurt. /Telegrafi/