Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka njoftuar se produkti i qumështit për fëmijë Aptamil AR1 është vlerësuar i sigurt për konsum dhe sërish lejohet të shitet në treg.
Ky njoftim vjen pas një ndalimi të përkohshëm të produktit me numër loti 111444865, me datë skadimi 17.05.2026, prodhuar nga Nutricia Cuijk BV, Holandë.
Ndalimi ishte masë parandaluese për mbrojtjen e shëndetit publik.
“Pas ritestimeve të kryera nga autoritetet kompetente të Holandës, analizat kanë rezultuar në përputhje me standardet e sigurisë ushqimore, duke konfirmuar se Aptamil AR1 është i sigurt për konsum”, thuhet në njoftim.
AUV thekson se do të vazhdojë të monitorojë situatën me kujdes dhe të bashkëpunojë ngushtë me institucionet vendore dhe ndërkombëtare, si dhe me bizneset që merren me importin dhe prodhimin e produkteve ushqimore, për të siguruar ushqim të sigurt dhe në përputhje me standardet evropiane. /Telegrafi/