Drejtuesit e Atletico Madridit po shqyrtojnë seriozisht mundësinë e një transferimi veror për sulmuesin e Barcelona, Robert Lewandowski.
E ardhmja e polakut mbetet e paqartë, teksa kontrata e tij në “Camp Nou” po i afrohet fundit dhe ai pritet të largohet në përfundim të sezonit. Ish-ylli i Bayern Munich do të jetë lojtar i lirë, çka do t’u japë klubeve rivale mundësinë ta afrojnë pa kosto transferimi.
Me më pak se gjashtë muaj deri në skadimin e marrëveshjes, klubet janë të lira të kontaktojnë përfaqësuesit e Lewandowskit për të testuar terrenin për sezonin e ardhshëm. Dhe sipas raportimeve të Fichajes, duke cituar El Desmarque, Atletico tashmë ka bërë një lëvizje konkrete.
“Atletico de Madrid tashmë ka ndërmarrë hapa. Në Metropolitano po shqyrtohet seriozisht afrimi i një sulmuesi veteran me parametra zero, duke përsëritur një formulë që ka rezultuar e suksesshme në të kaluarën”, thuhet në raport.
“Formula e suksesshme” i referohet rastit të Luis Suarez, i cili u largua nga Barcelona për te Atletico dhe më pas fitoi titullin e La Ligas me fanellën e “Rojiblancos”.
Nëse lëvizja për Lewandowskin konkretizohet, do të ishte një tjetër transferim i bujshëm mes dy rivalëve direktë në Spanjë, duke shtuar tensionin në garën për trofe sezonin e ardhshëm./Telegrafi