Administrata Tatimore e Kosovës po përgatit një projekt të ri që synon adresimin e ekonomisë digjitale, duke përfshirë edhe freelancerët dhe personat që krijojnë të ardhura përmes shërbimeve online.
Drejtori i Përgjithshëm i ATK-së, Mentor Hyseni, tha se institucioni aktualisht është në fazën e informimit të publikut dhe tatimpaguesve potencialë që veprojnë në këtë sektor.
“Sot jemi duke përgatitur një projekt për ekonominë digjitale, që i përfshin edhe freelancerët e kështu me radhë, dhe jemi në fazën e përgatitjes së informimit”, tha Hyseni në “Përballje Podcast” me kryeredaktorin e Telegrafit, Muhamet Hajrullahu.
Ai theksoi se qëllimi fillestar i ATK-së është informimi i personave që zhvillojnë aktivitet ekonomik në këtë fushë për obligimet e tyre tatimore.
“Pra, i informojmë që nëse jeni duke zhvilluar aktivitet ekonomik në Kosovë dhe krijoni të hyra, në bazë të ligjeve të Kosovës secili duhet të paguajë tatimin”, deklaroi ai shkruan Telegrafi.
– YouTube www.youtube.com
Sipas Hysenit, ATK do të organizojë diskutime informuese, takime dhe trajnime për sektorët që synon të adresojë.
“Në këtë kuptim, përgatisim platforma të ndryshme, organizojmë takime dhe trajnime për sektorin që synojmë ta targetojmë”, tha ai.
Ai shtoi se institucioni do të ofrojë edhe udhëzime konkrete për mënyrën e deklarimit të të hyrave dhe pagesën e tatimeve, përfshirë edhe materiale informuese për publikun.
“Japim udhëzime se si duhet të deklarohen të hyrat, madje nxjerrim edhe video të veçanta për të shpjeguar procesin, si për ata që ofrojnë shërbime brenda Kosovës, ashtu edhe për ata që i shesin shërbimet jashtë vendit”, theksoi Hyseni.
Ai bëri të ditur se nëse informimi nuk sjell rritje të deklarimit dhe pagesës së tatimeve, atëherë ATK do të hartojë edhe plane për kontrolle./Telegrafi/.