Sulmuesi Endrick është shndërruar në një nga lojtarët më në formë të Ligue 1 që nga transferimi i tij në formë huazimi te Olympique Lyonnais nga Real Madrid në janar.
Sulmuesi brazilian ka grumbulluar pesë gola dhe një asist në vetëm gjashtë paraqitje zyrtare, përfshirë një het-trik ndaj FC Metz, duke fituar edhe çmimin “Lojtari i Muajit” në Ligue 1 për janarin.
Endrick është përshtatur shpejt me intensitetin e kampionatit francez, duke rënë në sy me aftësitë teknike, shpejtësinë dhe kërcënimin para portës, teksa ka ndihmuar Lyonin të ngjitet në tabelë gjatë kësaj periudhe të shkurtër.
Në një intervistë për “Telefoot”, talenti i ri zbuloi rolin kyç që patën shokët e tij te Reali në vendimin për t’u transferuar në Francë.
“Kylian Mbappe dhe Eduardo Camavinga më thanë se Ligue 1 ishte një kampionat i mirë dhe shumë agresiv. Ata më këshilluan vërtet të bashkohesha me Lyonin, sepse është një ekip i madh. I falënderoj për këshillat e tyre të mira”.
Ylli i ri theksoi se është shumë i kënaqur me zgjedhjen, duke shtuar se po e shijon aventurën në Francë më shumë se një muaj e gjysmë pas transferimit.
Forma mbresëlënëse e Endrickut nuk ka kaluar pa u vënë re në Madrid, me raportet që sugjerojnë se Reali tani e sheh atë si pjesë të rëndësishme të planeve afatgjata dhe synon ta rikthejë në skuadrën e parë sezonin e ardhshëm.
Ndërkohë, Lyoni pritet të shtyjë për zgjatjen e huazimit për ta mbajtur sulmuesin përtej skadimit aktual në fund të sezonit./Telegrafi/