Efektet zinxhire po ndihen tashmë në të gjithë Evropën Lindore dhe në Lindjen e Mesme.
Nga: Hamish de Bretton-Gordon / The Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com
Operacioni “Vendosmëria Absolute” [Operation Absolute Resolve] – kapja e guximshme nga ana ShBA-së e presidentit venezuelas, Nicolás Maduro – është një kujtesë e qartë për fuqinë e jashtëzakonshme dhe të veçantë që i është vënë në dispozicion presidentit Trump, kur ai vendos ta përdorë atë. Çdo diktator, despot dhe regjim rebel e ka marrë mesazhin: asnjë tiran nuk është jashtë cakut nëse ShBA-ja vendos të veprojë.
Kjo ndodhi pas operacionit të shpejtë të vitit të kaluar për çmontimin e programit bërthamor të Iranit, që ishte në zhvillim e sipër, një veprim që vazhdon të ketë jehonë si në Teheran ashtu edhe në Moskë. Në atë fushatë, aeroplanët amerikanë dhe izraelitë depërtuan me lehtësi në hapësirën ajrore iraniane, duke shmangur ose shkatërruar sistemet e mbrojtjes ajrore S-300 – të furnizuara nga Rusia – që supozohej të pengonin një qasje të tillë. Cak nuk ishte vetëm infrastruktura, por ambicia strategjike e Iranit për të riafirmuar veten si një fuqi dominuese rajonale – tashmë e dëmtuar nga çmontimi i forcave përfaqësuese të Teheranit nga Izraeli: Hezbollahu, Hamasi dhe Lëvizja Huti.
Me Iranin që tani përballet me pakënaqësi të shtuara të brendshme – të nxitura nga kolapsi ekonomik dhe dekadat e shtypjes – kërcënimet publike të Trumpit për të mbështetur protestuesit do të jenë thellësisht shqetësuese për ajatollahët. Shumë vëzhgues me përvojë besojnë se regjimi po jeton me kohë të huazuar. Dhe, me Trumpin që ndihet i fuqizuar nga suksesi i operacionit në Venezuelë, nuk do të ishte mendim i zgjuar të supozohej se Irani nuk është më në shënjestër.
Edhe Moska do të ndjek këto zhvillime me shqetësim të shtuar. Trumpi e ka bërë të qartë se marrëveshja e paqes për Ukrainën është praktikisht gati dhe se vetëm Rusia – dhe personalisht Putini – pengon arritjen e saj. Reagimi gjithnjë e më i dëshpëruar i Kremlinit, në internet, sugjeron se ky mesazh ka prekur në cak. Ashtu si në Iran, popullsia ruse po bëhet gjithnjë e më e pakënaqur, po gërryhet gjithnjë e më shumë besimi në një tirani të korruptuar dhe ekonomikisht shkatërrimtare.
A kanë të drejtë ajatollahët, Putini dhe autokratët e tjerë të shqetësohen? Po, pa asnjë dyshim. Shkalla, saktësia dhe guximi i operacionit “Vendosmëria Absolute” janë pothuajse të paprecedentë. Bota vështroi me mosbesim teksa forcat speciale amerikane hynë në dhomën e gjumit të Maduros dhe brenda 24 orëve e dorëzuan atë në një gjykatë amerikane. Implikimi është i qartë: nëse Uashingtoni mund ta bëjë këtë në Karakas, atëherë Moska dhe Teherani nuk mund të supozojnë se janë imunë.
Ky operacion ishte në planifikim për muaj, në mos vite. Ai kërkoi një gamë të gjerë të kapaciteteve ushtarake amerikane – detare, ajrore, kibernetike dhe të inteligjencës – të ekzekutuara me siguri të jashtëzakonshme operacionale. Një prani e konsiderueshme detare u vendos në Karaibet jugore, mbështetur nga angazhimet e inteligjencës që përfshinin përgjimet elektronike, burimet njerëzore dhe ndoshta infiltrimet e thella brenda shtetit të Venezuelës. Rreth 150 aeroplanë – luftarakë, bombardues dhe transportues – formuan shtyllën kurrizore të operacionit, duke çuar Forcat Delta – ekuivalentin amerikan të SAS-it britanik – drejtpërdrejt në objektiv. Disa nyje kyçe ushtarake u neutralizuan njëkohësisht për të arritur suksesin, duke kujtuar kompleksitetin dhe koordinimin që u pa gjatë sulmit ndaj objekteve bërthamore të Iranit.
Forcat Delta u modeluan sipas SAS-it, në kohën kur u themeluan, dhe me shumë mundësi është e vërtetë të thuhet se ushtarët e SAS-it janë po aq të aftë sa ata të Delta-s. Në fakt, ndoshta është e vërtetë të thuhet se një numër jo i vogël vendesh kanë njësi speciale operacionale të nivelit më të lartë [Tier One] që janë po aq të mira, ose afërsisht të mira.
Ajo që vendet e tjera si Britania nuk kanë, është fuqia ajrore e dislokueshme, burimet e inteligjencës, infrastruktura strategjike dhe aftësitë për transport dhe futje që vendosën Forcat Delta në kështjellën e Maduros me pothuajse asnjë paralajmërim. Forcat Delta ishin thjesht maja e një shtize të madhe amerikane: dhe kjo shtizë është më unike se vetë Delta-t të cilët, pa dyshim, janë jashtëzakonisht të aftë.
Maduro nuk ishte i pakujdesshëm. Me një shpërblim prej 50 milionë dollarësh mbi kokën e tij, me siguri të shtuar personale dhe një ushtri të konsiderueshme në dispozicion, ai megjithatë rezultoi i pafuqishëm.
Pasi kam kaluar një kohë në këtë zonë të Amerikës së Jugut dhe kam familjarët që ende jetojnë në rajon, mund të dëshmoj se sa i vështirë do të ishte planifikimi dhe zbatimi i një operacioni të tillë në mes të rrjeteve kriminale, korrupsionit dhe pasigurisë së përhapur. Fakti se ShBA-ja e realizoi me kaq pastërti, kjo vetëm e përforcon mesazhin.
Efekti zinxhir tashmë po ndihet në të gjithë Evropën Lindore dhe në Lindjen e Mesme. Kjo është një fuqi ushtarake e atij niveli të cilin edhe Kina do ta kishte të vështirë ta përballonte, dhe përtej çdo gjëje që Putini do mund të shpresonte të arrinte.
Çfarë nënkupton kjo? Shpresa është që presidenti Trump tani ta përdorë këtë peshë për të detyruar Moskën të pranojë një paqe të vërtetë në Ukrainë. Dobësimi i ndikimit të keq të Iranit dhe çlirimi i popullit të tij nga tirania është gjithashtu një objektiv i denjë, por për Evropën, ndalimi i agresionit rus duhet të jetë prioriteti.
Bravo ushtrisë amerikane. Por, Evropa, dhe mbi të gjitha Ukraina, nuk duhen harruar. /Telegrafi/