Ekspozita “Fotografia Shqiptare, nga Kujtesa në Prezencë” solli artin shqiptar në një dimension ndërkombëtar në Trieste, duke bashkuar 34 artistë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut.
Ambientet e DoubleTree by Hilton Trieste u mbushën me vizitorë, profesionistë dhe dashamirës të artit, të cilët lëviznin nga një fotografi te tjetra, ndaleshin për t’i vëzhguar dhe diskutonin mbi mesazhet që përcillnin. Fotografia nuk ishte thjesht e ekspozuar në mure, por krijonte dialog dhe afronte njerëzit me historitë që përcillte.
Ekspozita u zhvillua në kuadër të festivalit Le Vie delle Foto, gjatë të cilit në qytet ishin hapur rreth 50 ekspozita të tjera në hapësira të ndryshme dhe në ambientet e qendrës historike. Në këtë mënyrë, Trieste u kthye në një qendër të rëndësishme të fotografisë, ku çdo hap të çonte drejt një historie të re vizuale.
Në këtë atmosferë, ekspozita shqiptare solli një përzgjedhje të pasur autorësh, duke bashkuar emra të njohur me talente të reja. Kjo krijoi një lidhje mes brezave dhe stileve të ndryshme, duke e bërë fotografinë një gjuhë të përbashkët që komunikonte drejtpërdrejt me publikun.
Një element domethënës i kësaj ngjarjeje lidhej edhe me historinë e fotografisë shqiptare dhe figurën e Pietro Marubi, i cili gjatë udhëtimit të tij drejt Shkodër kishte kaluar pikërisht nga Trieste. Kjo e bënte prezencën e kësaj ekspozite në këtë qytet edhe më simbolike, si një rikthim në një pikë të hershme të historisë së fotografisë shqiptare.
Ekspozita u realizua nën patronazhin e Fokus Award dhe me kurimin e Albes Fusha, duke treguar një skenë fotografike shqiptare aktive dhe në rritje, që po fiton gjithnjë e më shumë hapësirë në arenën ndërkombëtare.
Në këtë ekspozitë morën pjesë fotografët:
Agnesa Cavolli, Adnand Beci, Agron Berisha, Albert Çmeta, Albes Fusha, Arben Alliaj, Arben Llapashtica, Ardian Fezollari, Armando Babani, Arton Humolli, Bevis Fusha, Bujar Gashi, Burim Myftiu, Dea Shubleka, Eduart Gjino, Elvin Shytaj, Ernest Baba, Fate Velaj, Fjogena Lluka, Griseld Hoxha, Genta Mema, Jetmir Troshani, Korab Basha, Merlin Kaziaj, Nina Shuli, Oresta Kapedani, Osman Demiri, Roland Tasho, Rozafa Shpuza, Saimir Ahmeti, Sualdo Dino, Valjeta Sylaimani, Vlasov Sulaj dhe Zeni Alia. /Telegrafi/