Legjenda e Arsenalit, Robert Pires, ka zbuluar se Mikel Arteta ishte shumë pranë shkarkimit vetëm tre muaj pasi mori drejtimin e skuadrës në “Emirates”, por mbështetja e drejtorit sportiv Edu Gaspar rezultoi vendimtare.
Duke folur për La Provence, Pires deklaroi se Edu ka marrë vendimin e duhur duke mbështetur trajnerin spanjoll.
“Shembulli më i mirë për t’u ndjekur është Mikel Arteta. Pas tre muajsh, Arsenali donte ta shkarkonte. Por drejtori sportiv, Edu, i besoi dhe Arteta mori rezultatet që të gjithë i dinë”, tha Pires.
Besimi i Edus u shpërblye shpejt, me Artetën që e udhëhoqi Arsenalin drejt triumfit në FA Cup dhe FA Community Shield, duke e rikthyer klubin në rrugën e suksesit dhe duke e shndërruar në një pretendent të rregullt për titullin e Ligës Premier.
Këtë sezon, “Topçinjtë” kryesojnë tabelën, pesë pikë përpara Manchester City që ka një ndeshje më pak të zhvilluar, duke konfirmuar progresin e madh nën drejtimin e teknikut spanjoll.
Arsenali ka qenë fantastik edhe në Ligën e Kampionëve duke e mbyllur në vendin e parë dhe është një nga favoritët për ta fituar këtë garë. /Telegrafi/