Një rast i armëmbajtjes pa leje është zbuluar në orët e para të 11 marsit 2026 në fshatin Radosevikë të komunës së Zubin Potokut.
Sipas njoftimit rreth orës 00:55 njësit e Policisë së Kosovës gjatë patrullimit kanë kontrolluar një shtëpi të pabanuar, ku kanë gjetur një armë zjarri të tipit AK-47, dy karikatorë – njëri prej tyre i mbushur me 27 fishekë – si dhe dy fishekë gjuetie dhe disa pajisje të tjera ushtarake.
Pas hetimeve të mëtejshme është identifikuar pronari i shtëpisë. I njëjti posedon edhe një shtëpi tjetër në Zubin Potok, ku me urdhër të prokurorit është kryer bastisje.
Gjatë bastisjes në shtëpinë e dytë janë gjetur dhe sekuestruar edhe një armë e gjatë AK-47, katër karikatorë si dhe rreth 120 fishekë.
I dyshuari është intervistuar nga policia dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje, ndërsa rasti po hetohet më tej nga autoritetet kompetente. /Telegrafi/