Trajneri Arne Slot përballet me vendime të mëdha para ndeshjes së parë çerekfinale në Ligën e Kampionëve ndaj Paris Saint-Germain, pas humbjes së rëndë 4-0 nga Manchester City në FA Cup.
Në portë, Giorgi Mamardashvili pritet të vazhdojë si titullar në mungesë të Alisson Becker, i cili është i dëmtuar. Reparti defensiv mbetet i paqëndrueshëm: Joe Gomez nisi si mbrojtës i djathtë ndaj Cityt, por përballet me konkurrencë nga Jeremie Frimpong. Ndërkohë, as Ibrahima Konate dhe as kapiteni Virgil van Dijk nuk bindën në “Etihad”.
Në krahun e majtë, Milos Kerkez pritet të vazhdojë si titullar, ndërsa Andy Robertson mund të ruhet për ndeshjen e kampionatit ndaj Fulhamit mes dy sfidave me PSG-në.
Në mesfushë, Alexis Mac Allister pritet të rikthehet në formacion pas pushimit ndaj Cityt, ndërsa trajneri duhet të zgjedhë mes dy skemave taktike: 4-2-2-2, që është përdorur në sfidat evropiane këtë sezon, ose 4-2-3-1 që dështoi në fundjavë.
Nëse zgjedh skemën e parë, pritet të aktivizohen Ryan Gravenberch, Dominik Szoboszlai dhe Florian Wirtz së bashku me Mac Allister.
Ndërkohë, mungesat vazhdojnë të jenë problem, me Wataru Endo jashtë për shkak të operacionit në kyçin e këmbës dhe Stefan Bajcetic që mungon prej kohësh.
Në sulm, dyshja Hugo Ekitike dhe Mohamed Salah pritet të udhëheqin vijën e parë, ndërsa Alexander Isak mund të jetë një opsion nga stoli pas rikthimit nga lëndimi.
Sfida në Paris do të jetë një test i madh për Slot dhe skuadrën e tij, të cilët duhet të reagojnë menjëherë pas një disfate të rëndë dhe të tregojnë karakter në një nga ndeshjet më të rëndësishme të sezonit./Telegrafi/