Sipas La Gazzetta dello Sport, Antonio Conte është i tunduar nga një rikthim si përzgjedhës i Kombëtares së Italisë, ndërsa Napoli nuk do ta kundërshtonte largimin e tij gjatë verës.
Conte po del si kandidati kryesor për të zëvendësuar Gennaro Gattuso në stolin e Italisë.
Kontrata e teknikut italian skadon në qershor të vitit 2027 dhe sipas Gazzettas, ai është më shumë se i interesuar për t’u rikthyer për një periudhë të dytë në drejtimin e “Azzurrëve”.
Conte e ka drejtuar më parë Italinë nga viti 2014 deri në 2016, duke arritur deri në çerekfinale të Kampionatit Evropian, ku “La Nazionale” u eliminua me penallti nga Gjermania.
Sipas Gazzettas, Conte ka kujtime shumë të mira nga periudha e tij si përzgjedhës i Kombëtares dhe në Federatën Italiane të Futbollit besojnë se 56-vjeçari është njeriu i duhur për të ringjallur ekipin.
Gjithashtu presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentiis, do ta lejonte Conten të marrë drejtimin e Kombëtares, pavarësisht se kontrata e tij me klubin skadon pas një viti.
Sipas të njëjtit burim, “drita jeshile” e De Laurentiis nuk do të ishte problem, sidomos nëse Giovanni Malagò zgjidhet si presidenti i ri i FIGC.
Një trajner i përkohshëm, me shumë gjasë Silvio Baldini, do të emërohet për miqësoret e qershorit, ndërsa përzgjedhësi i ri i Italisë nuk pritet të zgjidhet para fundit të qershorit ose fillimit të korrikut, pasi presidenti i ri i FIGC nuk do të zgjidhet para 22 qershorit.
Massimiliano Allegri dhe Roberto Mancini janë lidhur gjithashtu me këtë post, por trajneri i Milanit ka deklaruar se është i lumtur në “San Siro”, ndërsa dyshimet për Mancinin lidhen kryesisht me largimin e tij në vitin 2023, kur ai dha dorëheqje në mënyrë të papritur përmes një emaili zyrtar dhe vetëm pak javë më vonë mori drejtimin e kombëtares së Arabisë Saudite./Telegrafi/