Aktorja shkëlqeu në “Oscars” dhe të gjithë pyetën çfarë ka ndryshuar – përgjigjja nuk është as trajtim estetik, as grim i rëndë, por një detaj i vogël në flokë
Ceremonia e ndarjes së çmimeve “Oscars” tashmë ka përfunduar dhe, ndryshe nga vitet e kaluara, këtë herë nuk pati shumë surpriza apo polemika rreth fituesve – “djemtë e artë” shkuan në duart e duhura.
Nga ana tjetër, për një kohë të gjatë në internet do të qarkullojë momenti kur në skenë dolën Anne Hathaway dhe Anna Wintour. Një nga gratë më të fuqishme në botën e modës tregoi se, pavarësisht perceptimit të zakonshëm, ka shumë sens humori, ndërsa aktorja e njohur mahniti publikun me stilin dhe, sipas shumëkujt, me një pamje të re.
“Anna, çfarë mendon për fustanin tim sonte?”, e pyeti Anne Hathaway (43) zonjën me të cilën u shfaq në skenën e “Dolby Theatre”, me një zë që dridhej sikur t’i drejtohej vetë Mirandës Priestley. Zonja Wintour thjesht vendosi syzet e saj të famshme të errëta dhe, pa i hedhur asnjë shikim, tha: “Këta janë të nominuarit…”. Salla shpërtheu në të qeshura dhe duartrokitje. Nuk mund të ishte më mirë.
Dhe fituesja e “Oscars” nuk ka dukur kurrë më mirë – kjo është përshtypja e përgjithshme. Aktorja e famshme shkëlqeu me një krijim të shtëpisë Valentino, një fustan të zi mahnitës me motive lulesh, por stili mbeti në plan të dytë, sepse të gjithë u fokusuan te fytyra e saj dhe shkëlqimi që reflektonte, transmeton Telegrafi.
Ndërhyrje estetike? Filler? Grim? Diçka është ndryshe, komentuan rrjetet sociale, duke shtuar: “Çfarëdo që të ketë bërë, është perfekte”.
Por, që të nesërmen, Anne Hathaway e zbuloi misterin përmes një postimi në Instagram. Truku është në fakt shumë i thjeshtë dhe çdokush mund ta aplikojë. Në video ajo tregoi procesin e grimit dhe konturimit, duke bërë shaka: “Këto janë ‘The Witches 2’. Shtriga e madhe është rikthyer. E kuptoi si funksionon jeta e miut dhe u kthye sërish”, duke iu referuar filmit të saj “The Witches” nga viti 2020, ku ishte thuajse e panjohshme falë grimit të Hollywood-it.
Në ekipin e saj glamuroz për “Oscars” ishin përfshirë frizeri Orlando Pita, artisti i grimit Hung Vanngo dhe eksperti i kujdesit të lëkurës Gavin McLeod-Valentine. “Orlo, tregoju sekretin tonë të vogël!”, dëgjohet në sfond.
Frizeri shpjegoi se kishte bërë dy gërsheta të vogla nga secila anë dhe i kishte fiksuar pas, duke i fshehur nën pjesën tjetër të flokëve.
“Dhe menjëherë dukeni më të freskët. Ky është i gjithë sekreti!”, theksoi aktorja, të cilën mezi presim ta shohim në vazhdimin e hitit të madh “The Devil Wears Prada”. /Telegrafi/