Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, në emisionin Click Plus në TV21 njoftoi se Maqedonia e Veriut do të jetë vendi i parë që do t’i përmbushë obligimet për heqjen e kostove shtesë të roamingut në Bashkimin Evropian.
Andonovski mes tjerash shpjegoi se qytetarët nuk do të paguajnë shtesë për thirrje, mesazhe dhe internet gjatë udhëtimeve në vendet e Bashkimit Evropian.
“Për roamingun kam premtuar – do të jemi shteti i parë që do t’i përmbushë detyrat. Kjo do të thotë se nuk do të paguani shtesë kur jeni në BE. Modelin ballkanik të roamingut duam ta aplikojmë edhe për BE-në. Ne e kemi përfunduar punën tonë, e kemi dërguar tekstin në BE për mendim dhe do ta votojmë në Kuvend”, deklaroi Andonovski.
Andonovski gjithashtu theksoi se para dy javësh kanë marrë pyetje të reja nga Bashkimi Evropian, por se plani mbetet i pandryshuar dhe vendi është i gatshëm të finalizojë rregulloren ligjore për heqjen e kostove të roamingut.