Ambasada e Republikës së Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe ka dalë me një njoftim të rëndësishëm për të gjithë shtetasit kosovarë që ndodhen në këtë shtet, si vizitorë apo rezidentë, duke marrë parasysh situatën e krijuar pas sulmeve të fundit të Iranit.
Në njoftim theksohet se, në përputhje me legjislacionin dhe rregullat e brendshme në fuqi në Emiratet e Bashkuara Arabe, ndalohet rreptësisht fotografimi, incizimi apo shpërndarja e pamjeve dhe informacioneve nga vendet ku ndodhin incidente të lidhura me raketa apo dronë.
Gjithashtu, qytetarëve u ndalohet publikimi i vendndodhjeve të këtyre incidenteve në rrjete sociale apo platforma të tjera.“
Autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe zbatojnë masa të rrepta ligjore ndaj çdo shkeljeje, përfshirë: gjoba të larta financiare, dënime me burg, konfiskim të pajisjeve elektronike, si dhe deportim të shoqëruar me ndalim të rikthimit në vend”, thuhet në njoftim.
Ambasada u bën thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës që të respektojnë me përpikëri ligjet dhe rregullat në fuqi dhe të kontribuojnë në ruajtjen e sigurisë dhe rendit publik në vendin ku jetojnë dhe veprojnë. /Telegrafi/