Me rastin e 27-vjetorit të Masakrës së Reçakut, kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ka kujtuar martirët e këtij fshati, duke nderuar sakrificën për liri dhe duke ritheksuar kërkesën gjithëpopullore për drejtësi.
Në një postim në Facebook, Aliu ka vlerësuar Masakrën e Reçakut si një nga krimet më të rënda të kryera nga shteti serb ndaj popullatës civile shqiptare. “Në Reçak, shteti serb me ushtrinë e policinë gjakatare, kreu gjenocid, një nga masakrat më të llahtarshme mbi popullatën e pafajshme civile, pa kursyer të moshuarit e fëmijët, gratë e burrat e këtij fshati”, ka shkruar ai.
Kryetari i Ferizajt ka theksuar se liria e Kosovës është arritur përmes sakrificës sublime të dëshmorëve dhe martirëve, luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe mbështetjes së aleatëve ndërkombëtarë. “Liria e Kosovës erdhi me gjak dëshmorësh e martirësh, me luftën e luftëtarëve të lirisë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me aleatët tanë ndërkombëtarë në Paktin NATO, prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka theksuar Aliu.
Ai ka shprehur mirënjohje të veçantë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ish-ambasadorin e OSBE-së, William Walker, për rolin e tyre në ndërkombëtarizimin e krimeve të kryera në Reçak.
“Mirënjohje përjetë Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Ambasadorit të OSBE-së, William Walker, që ia shpalosën botës së civilizuar këtë gjenocid, këtë krim makabër që kreu Serbia, për t’i dhënë më pas kthesë vendimtare luftës për lirinë e Kosovës”, ka shkruar ai.
Në përfundim, Aliu ka nderuar të rënët për liri, duke theksuar se kujtesa dhe respekti për ta do të mbeten të përhershme. “Lavdi Dëshmorëve të Kombit! Lavdi martirëve të Reçakut! Lavdi të rënëve për liri!”, ka përfunduar kryetari i Ferizajt. /Telegrafi/