Ndërsa kompanitë e Inteligjencës Artificiale po bëhen më të vlerësuara, ekziston një debat i vazhdueshëm rreth mënyrës se si Al po zëvendëson njerëzit në vende të ndryshme pune.
Studimet sugjerojnë se rolet ku Al mund të automatizojë shumicën e detyrave do të ndikohen, megjithëse disa analistë besojnë se Al mund të krijojë edhe vende pune.
David Shim, CEO i kompanisë Read AI, tha se edhe me rritjen e mjeteve të Al, në fund të fundit do të jenë njerëzit ata që vendosin për rrjedhën e veprimit dhe puna e tyre do të jetë e rëndësishme.
“Mendoj se gjithmonë do të ketë një njeri në mes”, tha Shim.
“Mendoj se puna do të bëhet më e lehtë me kalimin e kohës. Por një shembull i mirë do të ishte si të ngasësh një veturë. Kur filluam për herë të parë, kishe një hartë. Dhe nxirrje hartën. Dhe shkoje brenda dhe thoje në rregull, po ngas veturën. Unë po vendos çfarë ndodh. Tani të gjithë përdorin Waze ose Google Maps, dhe harta të tregon se ku të shkosh. Dhe ti thjesht po ndjek atë rend. Por ti je njeriu në mes që mund të vendosësh çfarë ndodh”, shtoi ai.
Shim pranoi se Al do të ndikonte në vendet e punës, duke vënë në dukje se agjencitë e reklamave mund të humbasin role njerëzore në favor të mjeteve të automatizuara.
Megjithatë, ai vuri në dukje se platformat teknologjike do të kishin nevojë për vende pune për të mbikëqyrur procesin e automatizimit.
Abdullah Asiri, themeluesi i startup-it të mjeteve të mbështetjes së konsumatorëve të mundësuar nga Al, Lucidya , tha se beson që Al do të zëvendësojë detyrat, por jo rolet.
Ai tha se kur klientët e kompanisë së tij përdorin Lucidya, agjentët e mbështetjes së klientëve shpesh marrin role dhe përgjegjësi të ndryshme.
Ai vuri në dukje se disa bëhen mbikëqyrës që udhëzojnë njerëzit e tjerë dhe Al, ndërsa disa marrin përsipër përgjegjësi për ndërtimin e marrëdhënieve dhe zhvillimin e biznesit duke përdorur kohën që kursejnë.
Ndërsa kompanitë teknologjike si Read AI dhe Lucidya po përdorin gjithnjë e më shumë mjete të Al, ato duan të kenë një numër të vogël të punëtorëve.
Aktualisht, ekipi i shërbimit ndaj klientit i Read AI përbëhet nga vetëm pesë persona, të cilët u shërbejnë miliona përdoruesve mujorë.
Shim vuri në dukje se kompania po përdor mjete të Al për ta bërë një ekip të vogël më produktiv dhe për t’u dhënë atyre më shumë kontekst për t’i ndihmuar ata ta bëjnë punën e tyre më shpejt.
Kompanitë thuhet se po korrin rritje në produktivitet.
Read AI njoftoi se mjeti i saj i shitjeve ndihmon në parashikimin e gjendjes së një marrëveshjeje duke përdorur të dhëna nga sistemet CRM si HubSpot dhe Salesforce.
Startup-i tha se ka parë marrëveshje me vlerë 200 milionë dollarë të miratuara përmes atij sistemi. /Telegrafi/