(I plotësuar) – Një ushtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës ka mbetur i lënduar si pasojë e aksidentit mes trenit dhe një veture pranë Kazermës “Adem Jashari” në Prishtinë.
Kështu ka bërë të ditur kryesuesi i Komisionit për Hetimin e Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike dhe Hekurudhore (KHAIA), Mirsim Beqiri, i cili tha se ekipi kujdestar ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes për të kryer ekzaminimet e nevojshme në bashkëpunim me Policinë e Kosovës.
“Sot rreth orës 16:10, në hyrje të Kazermës “Adem Jashari” në Prishtinë, ka ndodhur një aksident hekurudhor, ku një pjesëtar i FSK-së ka mbetur i lënduar. Ekipi kujdestar i KHAIA-së ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe është duke kryer ekzaminimet e nevojshme në bashkëpunim me Policinë e Kosovës”, ka shkruar ai.
Aksident trafiku mes trenit dhe një veture
Një aksident trafiku ka ndodhur sot ndërmjet një treni dhe një veture në afërsi të Kazerma Adem Jashari.
Sipas informacioneve të para, vetura i ka zënë rrugën trenit, duke shkaktuar përplasjen.
Ende nuk dihet për të lënduar, ndërsa detajet e plota pritet të konfirmohen nga policia.
Ekipet emergjente kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe janë duke u marrë me rastin./Telegrafi/

