Një aksident trafiku me pasoja fatale ka ndodhur mbrëmjen e sotme në fshatin Livoç i Ulët, në komunën e Gjilanit, ku një person ka humbur jetën dhe dy të tjerë kanë mbetur të lënduar.
Zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani ka deklaruar për Telegrafin se rreth orës 19:30 është pranuar informata për një aksident trafiku me të lënduar.
Njësitë policore, ndihma e shpejtë dhe hetuesit kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes për të trajtuar situatën.
Nga hetimet e para bëhet e ditur se në aksident kanë qenë të përfshira dy motoçikleta, ndërsa si pasojë tre persona kanë pësuar lëndime trupore. Të lënduarit janë transportuar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Gjilanit.
Sipas mjekëve, njëri nga të lënduarit është sjellë pa shenja jete, duke mos arritur t’u mbijetojë plagëve të marra. Dy personat e tjerë po marrin trajtim mjekësor, ku njëri prej tyre është dërguar për trajtim të mëtejmë në Qendren Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë, ndërsa tjetri vazhdon trajtimin në Gjilan./Telegrafi/