Komiteti i Rajoneve i Bashkimit Evropian ka vendosur që në dokumentet dhe komunikimet e tij publike të ndërpritet përdorimi i emërtimit “Kosovë” me fusnotë dhe të përdoret vetëm emërtimi “Kosovë”.
Lajmi është bërë i ditur nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, i cili ka njoftuar se ky vendim është përfshirë në opinionin më të fundit të Komitetit të Rajoneve mbi Paketën e Zgjerimit të Bashkimit Evropian për vitin 2025 për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë.
Sipas këtij opinioni, vendimi vlen për të gjitha dokumentet dhe komunikimet e Komitetit të Rajoneve, duke e harmonizuar këtë institucion me qëndrimin e kahershëm të Parlamentit Evropian, i cili tashmë përdor emërtimin “Kosovë” pa fusnotë në dokumentet e tij zyrtare.
Në të njëjtin dokument, Komiteti i Rajoneve ka bërë thirrje edhe për heqjen e masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, duke theksuar se këto masa kanë ndikuar drejtpërdrejt në komunat dhe qytetarët e vendit.
Po ashtu, në opinion vlerësohet organizimi i zgjedhjeve lokale në Kosovë gjatë vitit 2025, duke theksuar se pjesëmarrja e të gjitha komuniteteve ka forcuar legjitimitetin e institucioneve komunale dhe funksionimin e demokracisë lokale.
Sipas vlerësimit të këtij institucioni evropian, me rikthimin e pjesëmarrjes demokratike në nivel lokal, arsyet fillestare për vendosjen e masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës nuk qëndrojnë më, prandaj Komisioni Evropian ftohet që t’i heqë ato sa më parë.
Asociacioni i Komunave të Kosovës ka theksuar se ka pasur rol aktiv në promovimin e çështjeve që lidhen me pushtetin lokal në institucionet e Bashkimit Evropian dhe në informimin e partnerëve evropianë për ndikimin që masat e BE-së kanë pasur në komunat dhe qytetarët e Kosovës.
Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, e ka vlerësuar këtë zhvillim si një lajm shumë të rëndësishëm për vendin.
“Ky është një lajm shumë i mirë për Kosovën dhe për komunat tona. Është shumë inkurajuese që institucionet evropiane po e njohin rolin e pushtetit lokal dhe ndikimin që vendimet e tyre kanë në jetën e qytetarëve në nivel lokal. Po ashtu, rekomandimi për përdorimin e emrit ‘Kosovë’ pa fusnotë është një zhvillim shumë i rëndësishëm në trajtimin institucional të Kosovës në nivel evropian”, ka deklaruar ai.
Sipas Asociacionit të Komunave të Kosovës, organizata do të vazhdojë të angazhohet për forcimin e rolit të komunave në procesin e integrimit evropian dhe për përfaqësimin e interesave të pushtetit lokal në institucionet evropiane. /Telegrafi/