Dy persona shpëtuan mrekullisht me lëndime të lehta pasi aeroplani i tyre i vogël ra në një lumë.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, pamjet tregojnë aeroplanin që fluturonte rrezikshëm ulët pranë Rio Negro në Manaus, Brazil, përpara se të përkulej papritur dhe “të përplasej me hundë në ujë” duke shkaktuar një spërkatje të madhe.
“Aeroplani ujor” thuhet se kishte kaluar tashmë lumin dy herë pak çaste më parë, sipas dëshmitarit okular Fernando Araújo.
Ai po udhëtonte me një “ski uji” kur vuri re aeroplanin që fluturonte jashtëzakonisht ulët, sikur të ishte gati të përpiqej të ulej për herë të tretë në ujë.
“Pas kësaj, ai u ngjit përsëri, fluturoi për një kohë të shkurtër dhe provoi një manovër, sikur të kthehej për t’u ulur, por nuk ia doli”, tha Fernando, një arkitekt, për mediat lokale.
Fernando ishte personi i parë që arriti te aeroplani – një Super Petrel LS – ndërsa ai ishte gjysmë i zhytur në Rio Negro.
Ndërsa afrohej, ai kuptoi se kishte dy burra në fluturake.
Burri më i vjetër, që besohet të jetë piloti, ishte në gjendje shoku, ndërsa pasagjeri më i ri arriti të thërriste për ndihmë në telefonin e tij.
Të dy burrat u shpëtuan, iu dha ndihma e parë në vendngjarje dhe më vonë u dërguan për trajtim mjekësor.
Departamenti i Zjarrfikësve tha në një deklaratë: “Me të mbërritur në vendngjarje, ekuipazhi zbuloi se dy personat në bord të aeroplanit ishin shpëtuar tashmë nga anëtarët e publikut”.
Zjarrfikësit siguruan vendin e rrëzimit dhe konfirmuan se nuk kishte rrezik të menjëhershëm shpërthimi nga rrjedhja e karburantit. /Telegrafi/