Një gjykatës federal amerikan urdhëroi të premten administratën e presidentit amerikan,. Donald Trump që të mundësojë kthimin e një studenteje nga Hondurasi, e cila u deportua pavarësisht një ndalese gjyqësore, gjë që qeveria më parë kishte refuzuar ta bënte.
Gjykatësi i Gjykatës Federale të Qarkut në Boston, Richard Stearns, i dha administratës dy javë kohë për të mundësuar kthimin e Amy Lucia Lopez Belloza, studente në Babson College në Massachusetts, e cila u deportua pasi u ndalua në aeroportin Logan në Boston ndërsa po udhëtonte për të kaluar festën e Falënderimeve me familjen e saj në Teksas.
“Urtësia sugjeron se shpengimi mund të gjendet duke pranuar dhe korrigjuar gabimet e veta. Në këtë rast të pafat, qeveria me meritë pranon se ka gabuar. Tani është koha që qeveria ta korrigjojë këtë”, tha Stearns.
Ai, i emëruar nga presidenti demokrat Bill Clinton, tha se kishte shpresuar të shmangte nisjen e procedurave për mosrespektim të gjykatës duke i dhënë administratës mundësinë për të korrigjuar atë që e quajti gabim, shkruan newyorktimes.
Megjithatë, Departamenti amerikan i Shtetit javën e kaluar e vlerësoi si të pazbatueshme rekomandimin e gjykatësit për t’i lëshuar asaj një vizë të re studentore, ndërsa Shërbimi Amerikan i Imigracionit dhe Doganave (ICE) refuzoi të mundësonte kthimin e saj, gjë që çoi në urdhrin gjyqësor të së premtes.
Studentja e vitit të parë është shtetase e Hondurasit, të cilën nëna e saj e solli në SHBA kur ishte tetë vjeçe, ndërsa kërkonte azil.
Lopez Belloza deklaroi se nuk ishte në dijeni që ndaj saj ishte lëshuar një vendim përfundimtar deportimi, gjë që shërbeu si bazë për arrestimin e saj.
Ajo u dërgua në Honduras më 22 nëntor, edhe pse avokati i saj një ditë më parë kishte siguruar një urdhër ndalese në Massachusetts, i cili për 72 orë ndalonte deportimin ose transferimin e saj jashtë shtetit. Aktualisht ajo ndodhet në Honduras tek gjyshërit e saj.
Avokati i qeverisë në seancën dëgjimore muajin e kaluar kërkoi falje për shkeljen e vendimit gjyqësor, duke ia atribuuar këtë një gabimi të një zyrtari të ICE-it që nuk kishte regjistruar siç duhet urdhrin e ndalimit. /Telegrafi/