Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka pritur në takim ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guerot, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet politike në vend dhe bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve.
Në një postim, Abdixhiku bëri të ditur se gjatë takimit është diskutuar për situatën aktuale politike dhe qëndrimet e LDK-së.
“Gjatë takimit diskutuam gjerësisht për zhvillimet aktuale politike në vend dhe qëndrimet e LDK-së ndaj tyre, me theks të veçantë në domosdoshmërinë e ruajtjes së stabilitetit institucional dhe në situatën e krijuar rreth çështjes së Presidentit. Vlerësova se në momente të tilla, respektimi i rendit kushtetues dhe maturia politike mbeten parakushte thelbësore për funksionimin demokratik të vendit”, ka shkruar Abdixhiku.
Ai gjithashtu shprehu mirënjohje për mbështetjen e Francës ndaj Kosovës ndër vite.
“Shpreha mirënjohjen time për mbështetjen e vazhdueshme që Franca i ka dhënë Kosovës ndër vite, duke vlerësuar rolin e saj të rëndësishëm në forcimin e stabilitetit, demokracisë dhe orientimit evropian të vendit tonë”, tha kreu i LDK-së.
Abdixhiku theksoi edhe rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në fusha të ndryshme.
“Po ashtu, theksova rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit dypalësh në fusha me interes të përbashkët, veçanërisht në ekonomi, zhvillim dhe integrim evropian”, tha ai.
Në fund, ai nënvizoi përkushtimin e Kosovës për rrugën euro-atlantike.
“Kosova mbetet e përkushtuar në rrugën e saj euro-atlantike, dhe partneriteti me shtetet mike si Franca është thelbësor për këtë rrugëtim”, u shpreh Abdixhiku. /Telegrafi/