Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka mbajtur një fjalim gjatë Kuvendit të punës së partisë, duke iu drejtuar delegatëve dhe duke folur për përgjegjësinë, sfidat dhe rolin e LDK-së në politikën e Kosovës.
Abdixhiku tha se partia ka përgjegjësi historike dhe se është koha që të japë përgjigje edhe për vetveten.
“Heshtja në jetën politike është një barrë e rëndë. Njeriu e kupton që ka momente që duhet të ndalet, jo pse është i dobët, por sepse ka përgjigje për të dhënë nga ata që e besuan. Nata e zgjedhjeve ishte një prej atyre momenteve që nuk ishte vetëm një rezultat politik, por një pasqyrë e përgjegjësisë”, tha ai.
Kryetari i LDK-së theksoi se përgjegjësia merret vetëm brenda Kuvendit të partisë dhe vendimmarrja i takon delegatëve.
“Kam zgjedhur të dal para jush jo sepse është e lehtë, por sepse është e domosdoshme. Njeriu nuk matet vetëm kur gjithçka shkon mirë, por edhe kur gjuha i dridhet pak”, shtoi ai.
Abdixhiku vuri në dukje se rezultatet e fundit nuk erdhën nga një gabim i vetëm, por si pasojë e një grumbullimi të sfidave gjatë kohës, duke theksuar nevojën për të reflektuar dhe për t’u përballur me realitetin.
“Sot jemi këtu për t’i thënë gjërat në sy”, tha ai.
Ai theksoi pozicionin unik të LDK-së në Kosovë: “LDK mbetet e vetmja parti politike në vend, themeluesi i së cilës nuk jeton. Në këtë rrugëtim jemi ndryshe nga çdo parti tjetër në Kosovë. LDK ka provuar dhe krijuar lidership demokratik. Në demokraci, lidershipi nuk është dhuratë, por provë dhe barrë e madhe, mbi të gjitha garë mes të njëjtëve”.
Abdixhiku nënvizoi gjithashtu transparencën dhe përkushtimin e partisë: “Në cilën parti tjetër mbledhja konsultative transmetohet drejtpërdrejt në 32 kanale? LDK është parti e popullit, në lindje, në konstrukt dhe në të ardhme. Prijësi i LDK-së është i ndryshueshëm, por principi mbetet i njëjtë. Problemi nuk ka qenë njeriu, por roli i kryetarit dhe përgjegjësitë që ky detyrë mbart”.
Ai shtoi se partia duhet të funksionojë çdo ditë dhe jo vetëm gjatë zgjedhjeve: “Rregullimi i brendshëm i partisë ka nevojë për një organizatë që funksionon çdo ditë. Po aq e rëndësishme është disiplina politike. Kritikët që e shndërrojnë helmin e vazhdueshëm në shkatërrim nuk kanë vend këtu. Kush nuk respekton shumicën e kësaj partie nuk është i mirëpritur”.
Abdixhiku foli edhe për sfidat zgjedhore të fundit: “vitin 2025, partia fitoi sërish 7 komuna, përfshirë kryeqytetin, një arritje me peshë simbolike. Humbja e një komune të vogël u ndje shumë. Nëse nuk dimë ta kthejmë suksesin në moral, nuk mund të arrijmë shumicën. Nevojiten ndryshim dhe rezistencë për ta arritur atë”.
Ai po ashtu tha se LDK nuk është themeluar si shoqëri aksionare dhe nuk është pronë e askujt. /Telegrafi/