Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar ashpër ndaj asaj që ai i cilëson si sulme të paguara dhe ndikime të jashtme ndaj partisë që ai drejton, duke theksuar se LDK-ja nuk do të lejojë shtrirjen e një “botëkuptimi të bazuar në krim, frikë dhe shitblerje”.
Në një postim publik, Abdixhiku ka deklaruar se sulmuesit, pa u përmendur drejtpërdrejt, janë “vetëlajmëruar”, duke treguar sipas tij mënyrën se si mendojnë dhe veprojnë. Ai ka theksuar se ky mentalitet nuk përfaqëson vlerat e LDK-së dhe nuk do të lejohet as si fjalë, as si mendim, e as si ndikim brenda partisë.
“Unë besoj në politikë që s’blihet, në fjalë që s’paguhen dhe në njerëz që nuk shiten. Anëtarësia e LDK-së nuk shitet dhe nuk blihet, dhe kjo është ajo që na dallon”, ka shkruar Abdixhiku, duke shtuar se do ta mbrojë partinë dhe secilin anëtar të saj nga sulmet e paguara nga jashtë, edhe nëse mbetet i vetëm në këtë qëndrim.
Ai ka theksuar se LDK-ja do të vazhdojë rrugën e saj përpara, pavarësisht, siç u shpreh, “ulërimave” dhe presioneve të jashtme, duke nënvizuar se zhurma mund të paguhet, por e vërteta jo.
“E vërteta fiton gjithmonë”, ka përfunduar kryetari i LDK-së./Telegrafi/