Një nga rreziqet më të mëdha të zhvillimeve të fundit në Lindjen e Mesme është mundësia e destabilizimit të Iranit, gjë që mund të shkaktojë konflikte të brendshme dhe një periudhë të gjatë pasigurie në rajon.
Kështu vlerëson ish-ambasadori i Kosovës në Japoni dhe njohësi i çështjeve gjeopolitike, Leon Malazogu, në një intervistë në “Përballje Podcast” në Telegrafi.
Sipas tij, një nga skenarët e mundshëm pas tensioneve dhe sulmeve ndaj Iranit është dobësimi ose fragmentimi i shtetit, gjë që mund të hapë rrugë për përplasje të brendshme.
“Pyetja është se çfarë do të ndodhë me Iranin. Një nga skenarët është që Irani të shpartallohet. Irani është një vend jashtëzakonisht divers, me të paktën njëzet grupe etnike që jetojnë në një pjesë të madhe të territorit të tij”, tha Malazogu shkruan Telegrafi.
Ai theksoi se në rast të një destabilizimi të thellë, vendi mund të përballet me konflikte të brendshme dhe me përplasje mes grupeve të ndryshme etnike.
“Nëse Irani shpartallohet, mund të shkaktohet luftë civile dhe përplasje mes grupeve të ndryshme. Mund të mos stabilizohet për një kohë shumë të gjatë”, u shpreh ai.
Sipas Malazogut, në një skenar të tillë mund të përfshihen edhe komunitete të ndryshme etnike që jetojnë në Iran, përfshirë kurdët, turqit, azerët dhe balluçët.
“Ka shumë popullsi të ndryshme me zona të mëdha ku jetojnë dhe që mund të tentojnë të marrin kontroll mbi territore të caktuara, veçanërisht në një situatë kur strukturat e komandës dhe kontrollit dobësohen”, theksoi Malazogu.
Ai shtoi se një situatë e tillë do ta bënte shumë më të vështirë stabilizimin e Iranit dhe do të kishte pasoja të mëdha për sigurinë e gjithë rajonit të Lindjes së Mesme.
Debati për skenarët e mundshëm pas përshkallëzimit të tensioneve me Iranin ishte një nga temat e diskutimit në episodin më të fundit të “Përballje Podcast”, ku u analizuan edhe pasojat e mundshme të këtij konflikti për rendin ndërkombëtar. /Telegrafi/