Nga: Ali Shihabi / Newsweek
Përkthimi: Telegrafi.com
Në një pjesë të medias amerikane, kohët e fundit është përhapur një narrativë që sugjeron se Arabia Saudite po bëhet aleat më pak i vlefshëm për Shtetet e Bashkuara. Ky argument mbështetet në dy faktorë: së pari, se Riadi ka vonuar normalizimin me Izraelin pas luftës në Gazë; së dyti, se ka dallime të thella politike – lidhur me Jemenin – me të preferuarin e ri të Izraelit në rajon, Emiratet e Bashkuara Arabe. Nga këto premisa, kritikët nxjerrin një përfundim të përgjithshëm, por thellësisht të gabuar: se Arabia Saudite po largohet nga ShBA-ja dhe madje po rikthehet te zakonet e vjetra të eksportimit të islamit radikal apo të aleancës me “islamistë” si strategji rajonale.
Kjo narrativë është e gabuar – si në fakte, ashtu edhe në strategji.
Dallimet e Arabisë Saudite me Emiratet dhe Izraelin nuk burojnë nga ndonjë rikthim ideologjik apo armiqësi ndaj Perëndimit. Ato burojnë nga një mosmarrëveshje themelore për mënyrën se si duhet vepruar me disa nga shtetet më të brishta në botë. Qëndrimi i Riadit është i qartë: shtetet e dobëta mund të stabilizohen dhe të reformohen; shtetet e dështuara bëhen terren pjellor për terrorizëm, krim dhe konflikte të pafundme. Prandaj, prioriteti i Mbretërisë ka qenë mbështetja për qeveritë e njohura ndërkombëtarisht në Jemen, Sudan, Somali dhe Libi, dhe parandalimi i fragmentimit të këtyre vendeve në mini-shtete të drejtuara prej milicive dhe komandantëve të luftës.
Për dallim, Emiratet, shpeshherë me mbështetjen e heshtur të qeverisë aktuale izraelite, kanë ndjekur një qasje tjetër: mbështetjen për forcat separatiste dhe udhëheqës lokalë në përpjekje për të fituar ndikim afatshkurtër apo suksese të menjëhershme diplomatike. Në disa raste, këto fraksione të armatosura e paraqesin veten haptazi si nënshkruese të ardhshme të Marrëveshjeve të Abrahamit, nëse marrin pushtet mbi një pjesë territori. Ato kërkojnë njohje nga ShBA-ja në këmbim të këtyre premtimeve – me Somalilandin si shembullin më të fundit. Kjo taktikë mund të prodhojë tituj gazetash apo ceremoni nënshkrimi, por nuk do të sjellë stabilitet.
Kjo është çështja themelore që injorohet në shumicën e komenteve aktuale. Në parim, Arabia Saudite nuk e kundërshton normalizimin me Izraelin. Ajo e kundërshton një model normalizimi që anashkalon çështjen palestineze, shpërblen fragmentimin e shteteve, legjitimon milicitë dhe përshpejton shpërbërjen e shtetit. Ky qëndrim nuk është antiamerikan; ai përputhet me interesat afatgjata të ShBA-së.
ShBA-ja është një fuqi që mbështet status quo-në. Ajo përfiton nga kufijtë e parashikueshëm, qeveritë funksionale, tregjet e sigurta të energjisë dhe rrugët e hapura detare. Ajo nuk përfiton nga një Lindje e Mesme e ndarë në mini-shtete rivale të drejtuara nga grupe të armatosura që mbështeten në armë, kontrabandë dhe patronazh të huaj. Historia është e qartë për këtë çështje. Terrorizmi lulëzon jo në shtete të forta, por në ato të dështuara. Krimi transnacional, trafiku i drogës dhe kontrabanda e qenieve njerëzore përhapen atje ku bie në kolaps autoriteti qendror.
Amerikanëve nuk u duhet të kujtohen gjatë për ta kuptuar këtë. Sulmet e 11 shtatorit nuk dolën nga një shtet i fortë dhe autoritar. Ato erdhën nga Afganistani, një vend aq i dobët dhe i fragmentuar saqë nuk mundi të ndalonte al-Kaidën të vepronte lirshëm në territorin e tij. Kostoja e atij dështimi nuk u pagua vetëm nga fqinjët e Afganistanit, por edhe nga vetë ShBA-ja.
Megjithatë, sot, disa zëra në Uashington duken çuditërisht të qetë për politikat që shtyjnë Jemenin, Sudanin, Somalinë dhe Libinë drejt të njëjtës rrugë. Fragmentimi shihet si i menaxhueshëm. Milicitë trajtohen si partnerë të mundshëm. Shkëputja paraqitet si “vetëvendosje”. Këto janë fjalë ngushëllimi, por realitetet që fshehin janë të vrazhda. Sapo vendet fillojnë të copëtohen, dhuna bëhet normale, ekonomitë e luftës marrin hov dhe grupet ekstremiste gjejnë hapësirë për të vepruar. Ta ndalosh këtë proces është shumë më e lehtë sesa ta kthesh pas.
Qeveria aktuale izraelite, e dominuar nga e djathta ekstreme, duket veçanërisht e verbër ndaj këtyre pasojave afatgjata. Fitoret taktike, si bindja e ndonjë komandanti lokal apo mini-shteti të supozuar për të përqafuar Marrëveshjet e Abrahamit, paraqiten si triumfe strategjike edhe kur ato rrisin destabilitetin në të gjithë rajonin. Kjo është një llogaritje e shkurtër. Siguria afatgjate e Izraelit, si edhe e Amerikës, do të përfitonte jo nga një mozaik fqinjësh të dobët, por nga një rajon i qeverisur nga shtete legjitime, funksionale dhe i ankoruar në një zgjidhje të besueshme të çështjes palestineze.
Arabia Saudite e kupton këtë. Ajo ka kaluar vite të tëra duke u përpjekur, shpesh në mënyrë të heshtur dhe jo të përsosur, për të forcuar institucionet shtetërore, për të mbajtur kufijtë të paprekur dhe për të parandaluar kolapsin total në disa nga mjediset më të vështira të botës. Kjo punë nuk është as e lavdishme dhe as menjëherë shpërblyese, por është thelbësore. Është gjithashtu pikërisht lloji i ndarjes së barrës që Uashingtoni duhet ta kërkojë nga një aleat serioz.
Në veçanti është absurd pretendimi se Arabia Saudite po eksporton sërish islam radikal apo se për strategji po bashkëpunon me lëvizje islamiste. Mbretëria ka kaluar dekadën e fundit duke shpërbërë ato rrjete brenda vendit, duke reformuar institucionet fetare dhe duke bashkëpunuar ngushtë me ShBA-në në fushën e antiterrorizmit. Mbështetja për qeveritë e njohura kundër milicive nuk e bën Riadin aleat të islamistëve. E bën atë mbrojtës të rendit bazik shtetëror.
Amerikës nuk i duhen aleatë që ndjekin kaosin për hir të kaosit. I duhen aleatë që kuptojnë se stabiliteti, sado i papërsosur, është më i mirë se kaosi, dhe se reformat janë të mundshme vetëm aty ku ekziston ende shteti. Arabia Saudite është aleat i tillë.
Mosmarrëveshjet taktike me disa nga aleatët e tjerë të Amerikës në rajon nuk duhet të keqinterpretohen si një largim strategjik nga vetë ShBA-ja. Një supozim i tillë rrezikon të minojë vetë partnerët që po përpiqen të parandalojnë gjeneratën tjetër të shteteve të dështuara dhe kërcënimeve të reja. Kjo nuk do t’u shërbente interesave amerikane. Do t’i tradhtonte ato. /Telegrafi/