Në debatin publik në Kosovë shtrohet gjithnjë e më shpesh pyetja, a ekzistojnë ende zëra kritikë nga shoqëria civile dhe pse ata po dëgjohen më pak
Në “Përballje Podcast”, aktivisti i shoqërisë civile Taulant Hoxha adresoi pikërisht këtë çështje, duke ofruar një shpjegim më të gjerë mbi realitetin aktual të sektorit.
Sipas tij, zërat kritikë ekzistojnë, por hapësira publike për ta është ngushtuar.
“Hapësira publike është uzurpuar nga një numër shumë i vogël njerëzish që flasin për gjithçka. Kjo e vështirëson që zërat profesionalë të shoqërisë civile të dëgjohen”, u shpreh Hoxha.
Ai theksoi se në debatet televizive dhe në diskursin publik shpesh dominojnë të njëjtët persona, të cilët komentojnë për çdo temë, ndërsa ekspertët e fushave specifike mbeten në hije.
“Sikurse në çdo sektor tjetër, edhe në shoqërinë civile më shumë vëmendje mediale marrin ata që bëhen pjesë e politikave dhe agjendave ditore. Ndërsa ata që bëjnë punë sistematike, konsistente, që nuk prodhon skandale dhe nuk i shërben goditjes apo favorizimit të dikujt, shpesh mbeten në hije”, theksoi ai.
Frika nga keqpërdorimi i deklaratave
Një tjetër arsye për “heshtjen” e disa ekspertëve, sipas Hoxhës, lidhet me mënyrën se si trajtohen deklaratat në media.
– YouTube www.youtube.com
Shumë profesionistë, tha ai, hezitojnë të dalin publikisht për shkak të rrezikut që deklaratat e tyre të nxirren jashtë kontekstit ose të përdoren për agjenda të caktuara politike.
“Ne jemi produkt i kësaj shoqërie. Nuk mund të jemi imun si sektor, nuk jemi engjëj. Por ka njerëz me integritet që nuk duan të bëhen pjesë e një cirku mediatik apo e agjendave të ditës”, deklaroi Hoxha.
Megjithatë, ai thekson se mungesa e dukshmërisë mediale nuk do të thotë mungesë e kritikës.
Sipas tij, një pjesë e madhe e punës kritike zhvillohet përmes analizave, rekomandimeve ligjore dhe dokumenteve strategjike, të cilat nuk marrin vëmendje të madhe publike.
Po ashtu, ai vlerëson se vitet e fundit po shfaqen gjithnjë e më shumë nisma nga poshtë-lart, të cilat vijnë drejtpërdrejt nga komunitetet dhe adresojnë probleme konkrete lokale./Telegrafi/.