Lëkura me yndyrë shoqërohet me disa stereotipe, si poret e zmadhuara, shkëlqimi i tepërt dhe prirja për akne dhe pika të zeza. Një tjetër besim i përhapur është se kjo lloj lëkure plaket më mirë dhe zhvillon më pak rrudha krahasuar me llojet e tjera të lëkurës, veçanërisht lëkurën e thatë.
Pra, a ka ndonjë të vërtetë në këtë?
Përgjigjja e shkurtër është: Lëkura me yndyrë plaket ndryshe nga llojet e tjera të lëkurës, por kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se ka më pak rrudha. Thjesht do të thotë se formohen lloje të ndryshme rrudhash, thotë esteteistja e licensuar, Danna Murray.
Ajo tregon gjithashtu për mënyrën se si plaket lëkura.
Sipas ekspertes ka shumë shenja të plakjes dhe formimi i rrudhave është vetëm një prej tyre — edhe pse shpesh konsiderohet si një nga më kryesoret.
Shenja të tjera të plakjes përfshijnë:
Pigmentimin;
Enë gjaku të zgjeruara ose të dukshme;
Hollimin e lëkurës;
Pore të zmadhuara;
Humbjen e fortësisë dhe tonit të lëkurës.
Rrudhat sipas saj nuk formohen për shkak të prodhimit të yndyrës. Ato shfaqen si pasojë e shpërbërjes dhe humbjes së fibrave të kolagjenit dhe elastinës, të cilat janë përgjegjëse për mbështetjen dhe strukturën e lëkurës. Kjo ndodh për shkak të plakjes natyrale, por ndikohet edhe nga stili i jetesës, shprehjet e përsëritura të fytyrës, forca e gravitetit që tërheq vazhdimisht lëkurën dhe, mbi të gjitha, dëmtimi nga dielli. Këta faktorë ndikojnë në të gjitha llojet e lëkurës.
Si plaken ndryshe llojet e ndryshme të lëkurës, sipas esteteistes?
Yndyra natyrale e lëkurës siguron lagështi dhe i jep asaj një pamje më të mbushur. Lëkura e thatë mund të duket se ka më shumë rrudha. Lëkura normale dhe ajo mikse qëndrojnë diku në mes.
Gjenetikisht, lëkura e thatë ka tendencë të jetë më e hollë, me pore më të vogla dhe pamje më të lëmuar. Por vijat e holla dhe rrudhat duken më të theksuara.
Nga ana tjetër, lëkura me yndyrë ka pore më të mëdha dhe është më e trashë. Kjo i jep lëkurës një lloj “mbushjeje” ose mbrojtjeje shtesë.
Për këtë arsye, lëkura me yndyrë zakonisht ka më pak nga ato vijat e holla sipërfaqësore që shihen shpesh në zonën e ballit. Ajo është më e trashë në zonat ku ka më shumë gjëndra dhjamore, prandaj vijat në ballë mund të jenë më pak të dukshme. Megjithatë, lëkura me yndyrë mund të zhvillojë rrudha më të thella në pjesën e poshtme të fytyrës, ku humbja e tonusit është më e madhe.
Sa i përket zonës rreth syve, lloji i lëkurës nuk ka shumë rëndësi. Një studim i vitit 2015 tregoi se prania e gjëndrave dhjamore nuk lidhet me shfaqjen e rrudhave anësore të syve (“këmbët e sorrës”). Këto vija shfaqen pavarësisht llojit të lëkurës.
Çfarë mund të bëni?
Gjëja më e mirë që mund të bëni për çdo lloj lëkure është:
Të përdorni krem kundër diellit çdo ditë;
Të mos pini duhan;
Të ushqeheni shëndetshëm;
Të flini mjaftueshëm.
Produktet e kujdesit të lëkurës që përmbajnë acid hialuronik janë një zgjedhje e mirë për të zbutur vijat e holla.
Për rrudhat e thella që formohen në pjesën e poshtme të fytyrës, kremrat nuk bëjnë shumë ndryshim, sepse shkaku kryesor është muskulor. Por nëse dëshironi të trajtoni atë zonë, mbushësit (fillers), trajtimet me lazer ose akupunktura për fytyrën mund të ndihmojnë.
Megjithëse çdo lloj lëkure ka përparësitë e veta, asnjëra nuk plaket domosdoshmërisht më mirë se tjetra. Të gjithë plakemi ndryshe — dhe kemi nevojë për kujdes të përshtatur sipas llojit të lëkurës.