Parlamenti Evropian ka votuar për heqjen e imunitetit parlamentar të eurodeputetit italian, Fulvio Martusciello, i cili është nën hetim nga prokurorët belgë në një skandal të dyshuar korrupsioni dhe lobimi të paligjshëm që lidhet me gjigantin kinez të teknologjisë Huawei.
Në votimin e fshehtë të zhvilluar të martën, 344 eurodeputetë votuan pro heqjes së imunitetit të tij, 234 votuan kundër, ndërsa 25 abstenuan, shkruan euronews.
Martusciello, anëtar i grupit politik Partia Popullore Evropiane (PPE), dyshohet se ka qenë nismëtar i një letre të nënshkruar nga tetë eurodeputetë në vitin 2021, me të cilën i kërkohej Komisionit Evropian të mos ndalonte përdorimin e pajisjeve të huaja 5G për arsye të sigurisë kombëtare.
Hetimi belg nisi pas bastisjeve të kryera në mars 2025 në zyrat e Huawei në Bruksel dhe në ambientet e Parlamentit Evropian. Autoritetet dyshojnë se eurodeputetë dhe asistentë parlamentarë janë korruptuar për të ndikuar në vendimmarrjen e Bashkimit Evropian në favor të kompanisë kineze.
Sipas prokurorëve, përfitimet e dyshuara përfshinin pagesa, dhurata luksoze, bileta për ndeshje futbolli dhe mbulimin e shpenzimeve të udhëtimit.
Më herët, autoritetet belge kishin kërkuar gjithashtu heqjen e imunitetit të disa eurodeputetëve të tjerë në kuadër të të njëjtit hetim për korrupsion dhe pastrim parash të lidhur me Huawei.
Huawei ka deklaruar se i merr seriozisht akuzat dhe se zbaton një politikë të tolerancës zero ndaj korrupsionit, ndërsa Parlamenti Evropian ka pezulluar qasjen e përfaqësuesve të kompanisë në institucion dhe po bashkëpunon me hetuesit. /Telegrafi/
