Një statujë satirike e presidentit amerikan Donald Trump është vendosur për ekspozim në ndërtesën e Parlamentit Evropian në Strasburg të Francës, duke tërhequr vëmendjen për paraqitjen e saj provokuese.
Vepra, e titulluar “Orange Plague”, është krijuar nga artisti danez Jens Galschiøt. Statuja është rreth 2.5 metra e lartë dhe paraqet Trumpin të zhveshur, duke mbajtur një shkop të gjatë të artë dhe të ulur mbi shpatullat e një burri më të vogël.
Sipas artistit, statuja është e veshur me ar 23-karatësh dhe njihet gjithashtu me emrin “Mbreti i padrejtësisë”, transmeton Telegrafi.
Pranë veprës janë vendosur edhe tabela shpjeguese, ku thuhet se “Mbreti i padrejtësisë” qëndron “mbi shpinën e një burri” i cili po fundoset nën peshën e barrës.
“Do të bëja gjithçka për ta ndihmuar. Përveçse të zbrisja nga shpina e tij”, thuhet në tekstin shoqërues të veprës. Përmes këtij mesazhi, artisti akuzon Trumpin se po pengon përpjekjet për përballimin e ndryshimeve klimatike.
Statuja është vendosur në një pikë që lidh dy prej ndërtesave të Parlamentit Evropian dhe pritet të qëndrojë aty deri të enjten.
Ekspozimi u mundësua nga eurodeputeti danez i krahut të majtë Per Clausen, i cili tha se nuk shqetësohet për një reagim të mundshëm nga presidenti amerikan.
“Nëse dikush është aq i ndjeshëm saqë nuk mund ta tolerojë ekspozimin e kësaj skulpture në Parlamentin Evropian, atëherë nuk ka vend në skenën botërore”, tha Clausen.
Trumpi nuk ka reaguar publikisht ndaj statujës. Vepra e Galschiøt është ekspozuar edhe në qytete të tjera evropiane, si dhe gjatë konferencës së OKB-së për klimën COP30 në Belém të Brazilit. /Telegrafi/