Një ekspozitë e re përqendrohet te pikturat e piktorit gjerman Max Beckmann. Midis tyre është Variété, një vepër që paraqet një skenë kaotike kabareje. Çfarë kuptimi ka ajo dhe a e paralajmëroi ngritjen e nazizmit?
Nga: Precious Adesina / BBC
Përkthimi: Telegrafi.com
Në pikturën Variété të vitit 1927, nga piktori gjerman Max Beckmann, një shfaqje kabareje paraqitet përmbysur. Një burrë me pardesy të kuqe ushtarake shtrihet në dysheme. Një tjetër ecën mbi një litar të lirshëm sipër trupit të tij të shtrirë, dhe pranë tyre qëndron një figurë me fytyrën e mbuluar me një copë pëlhure të kaltër, ndërsa një burrë që duket i painteresuar, ulur në një karrige, e ka kthyer shpinën. Në sfond, një krijesë e madhe e ngjashme me një qen vështron skenën.
“Duket sikur është një skenë, me figura që po performojnë, por ekziston kjo ide se askush nuk po merr vërtet përgjegjësi për atë që po ndodh këtu,” i thotë BBC-së historiania e artit Lucy Wasensteiner. Në shikim të parë, piktura paraqet jetën e natës që ishte e përhapur në Gjermaninë e viteve ’20 të shekullit XX. Argëtimi gjatë periudhës së Vajmarit (1918-1933) njohu një zhvillim të madh, ndërsa kabareja – në veçanti – u bë gjithnjë e më provokuese, politike dhe satirike.
Lexo po ashtu:
– Brutalisti dhe e vërteta mbi luftën e nazistëve kundër arkitektëve “të degjeneruar”
– Kandinsky, artisti që pikturoi muzikën
– Çfarë mendonin gjermanët e zakonshëm për ngritjen dhe rënien e nazistëve
– Kryeveprat e vjedhura nga nazistët
Por, nëse e vështron më gjatë, atmosfera e veprës duket më pak festive dhe më e çuditshme. Çfarë na tregon kjo pikturë e pazakontë për këtë moment të pasigurt të historisë – dhe, a e paratha ajo ngritjen e nazizmit?
Kjo vepër dramatike është shfaqur në një ekspozitë të veprave të Beckmannit në Hauser & Wirth, në Bazel të Zvicrës. Artisti jetoi gjatë dy luftërave botërore, gjatë rrëzimit të Republikës së Vajmarit dhe ngritjes së fashizmit. U largua nga Gjermania në vitin 1937 dhe u vendos në Amsterdam, ndërsa në vitin 1947 u shpërngul në Shtetet e Bashkuara. Vdiq në Nju-Jork tre vjet më vonë.
Vepra e Max Beckmannit e vitit 1927, “Variété”, shfaq kabare kaotike(Koleksion privat / Gina Folly)
“Ai është një nga të paktët artistë që vijnë nga Gjermania dhe që nuk klasifikohet lehtë,” i thotë BBC-së, Carlo Knoell, drejtor i degës së galerisë në Bazel. “Ai nuk është si Objektiviteti i Ri [lëvizje realiste në Gjermani e asaj kohe]. Nuk është ekspresionist. Ai ndiqte vërtet rrugën e vet.”
Variété është një “pikturë e shoqërisë,” thotë Knoell, “në kuptimin që vështron gjendjen e qenieve njerëzore. Çdo figurë është një simbol më vete, përfshirë edhe qenin me pamje të çuditshme – nuk e di madje nëse është – dhe portokallin në formë lule [pas ecësit në litar].” Ai e përshkruan skenën si “të errët dhe të dhunshme,” duke shtuar se burri i shtrirë në dysheme duket sikur “është sulmuar ose është nxjerrë jashtë forme, ose të paktën është ‘pa fuqi’.”
Duke pasur parasysh se kjo skenë u pikturua gjatë periudhës së Vajmarit – vitet pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore dhe para fillimit të Gjermanisë naziste – mund të thuhet se ajo paralajmëroi errësirën që do të vinte së shpejti. “Këtu kemi dy aspekte. Nga njëra anë, në Republikën e Vajmarit kishte tepri lirie që nuk kishte ekzistuar më parë, por njerëzit e dinin se ishte një situatë e brishtë,” thotë Wasensteiner, profesoreshë në Universitetin e Bonit.
“Problemet po zienin”
Burri që ecën mbi litar është një paraqitje e pasigurisë së situatës, thotë ajo. “Qeveria njihej si e paqëndrueshme, kishte atentate të bujshme, Partia Naziste po fitonte gradualisht terren, kishte edhe parti të tjera që po shkaktonin trazira, kështu që njerëzit e dinin se problemet po zienin.”
Megjithatë, Republika e Vajmarit përshkruhet gjithashtu si një periudhë me gjallëri të madhe kulturore, me forma të reja arkitekture, një industri argëtimi që po lulëzonte dhe me modernizim të shpejtë. “Sot, me përparësinë që na jep njohja e historisë, mund t’i shohim këto piktura dhe të themi se ai po nënkuptonte se [gjallëria e asaj epoke] ishte disi e rreme, thjesht një shfaqje, dhe se në mënyrë të pashmangshme do të merrte fund,” thotë Wasensteiner.
“Autoportret në të gjelbër me këmishë të gjelbër” (1938).(Koleksion privat / Gina Folly)
Duke njohur tragjeditë historike që pasuan, është më e lehtë ta interpretojmë veprën në këtë mënyrë – pothuajse një shekull më vonë – shton ajo. “Jam dakord me idenë e Republikës së Vajmarit si një lloj skene teatrore. Është interesante ta interpretojmë pikturën në këtë mënyrë, sepse ekziston një grup i madh veprash nga vitet ‘20 të shekullit XX që paraqesin pikërisht këto lloj skenash,” thotë ajo.
Beckmanni shërbeu si sanitar mjekësor gjatë Luftës së Parë Botërore dhe pësoi një krizë të rëndë psikike në vitin 1915. Si pasojë, paraqitjet e tij të jetës më vonë u bënë dukshëm më cinike dhe ai hoqi dorë nga stili i tij i mëparshëm më romantik. “Ai në thelb po thoshte ose: ‘Kështu është bota,’ ose: ‘Kështu e shoh unë dhe nuk e shoh në mënyrë shumë pozitive’,” thotë Wasensteiner. Ky qëndrim ishte një nga arsyet pse më shumë se 500 vepra të tij, së bashku me ato të disa artistëve të tjerë, u hoqën me forcë nga institucionet publike nga nazistët.
“Arti i degjeneruar”
Në vitin 1937, nazistët hapën ekspozitën Arti i Degjeneruar (Entartete Kunst), një ekspozitë propagandistike që paraqiste vepra arti të konfiskuara nga regjimi dhe të konsideruara prej tij si imorale. Qëllimi i saj ishte të poshtëronte artistët dhe të diskreditonte veprat e tyre. Nazistët kishin kritere të paqarta dhe jo gjithmonë të njëjta për atë që konsiderohej “e degjeneruar.” Megjithëse kishte shumë kundërthënie, ata zakonisht favorizonin imazhe realiste dhe heroike, ndërsa kundërshtonin stilet moderniste, abstraksionin dhe eksperimentimin artistik. Veprat e Beckmannit hynin në këtë kategori të fundit.
“Shumë nga pikturat e tij janë mjaft të ndërlikuara për t’u parë. Në njëfarë mënyre ato nuk janë tërheqëse, dhe ka shumë të zezë, shumë errësirë,” thotë Wasensteiner. Dhjetë piktura dhe dymbëdhjetë vepra grafike të Beckmannit u përfshinë në ekspozitën Arti i Degjeneruar. Sipas raportimeve, ai u largua për në Amsterdam menjëherë pas hapjes së saj.
Megjithatë, Variété arriti t’i shpëtonte kësaj ekspozite, pasi ishte larguar nga vendi menjëherë pas krijimit të saj. Ajo mbeti në duart e koleksionistëve privatë dhe u ekspozua nëpër Gjermani dhe në pjesë të tjera të Evropës. Fakti që piktura arriti t’i shmangej regjimit, i shton asaj një shtresë të mëtejshme misteri dhe nxjerr në pah se, edhe në periudhat më të vështira, idetë mund të vazhdojnë të qarkullojnë dhe të përhapen. /Telegrafi/
